Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka komentuar në mbledhjen e radhës së qeverisë, ngjarjen e fundit në një lokal nate në Prishtinë, ku u vra me armë zjarri një person, si dhe u plagosën mbi 15 të tjerë, pjesa më e madhe nga shtyrja e turmës, pas panikut që shkaktuan krismat.
Kreu i qeverisë e drejtoi gishtin dhe nga drejtësia, e cila sipas tij me rastet e mosveprimit të saj ka lejuar persona me precedentë të rrezikshëm të lëvizin lirshëm në rrugët e Kosovës, e madje dhe të armatosur.
“Janë të shumta rastet kur si pasojë e mosveprimit të sistemit të drejtësisë, persona të ndryshëm me precedentë të shumtë penalë lëvizin lirshëm qoftë të liruar nga organet apo të pandjekur fare penalisht që rrezikojnë dhe marrin jetë të qytetarëve tanë. Edhe raportet të ndryshme kredibile vendore e ndërkombëtare konstatojnë se drejtësia jonë vazhdon të jetë jo efikase dhe e ngadaltë dhe të përshkruhet me fenomenin me raste të shumta në rigjykim dhe vendimeve jo të duhura ndëshkimore”, tha Kurti.
Kryeministri përmendi dhe rastin e dënimit me burg të përjetshëm për vrasësin e Marigona Osmanit, Dardan Krivaqa, duke thënë se ky vendim erdhi si pasojë e presionit shoqëror.
“Kur ndodh një krim, po duhet të ngritët shoqëria të kemi vendim meritor nga Gjykata, shembulli i fundit është dënimi me burg të përjetshëm për vrasësit e së ndjerës Marigona Osmani, pra Dardan Krivaqa. U dasht një shoqëri e popull i tërë të dënojë publikisht krimin në mënyrë që gjykata të mund të nxjerrë verdikt meritor. Vendimet e drejtësisë kanë efekt të dyfishtë në shoqërinë e çdo vendi: Përveç se sjellin drejtësi për viktimat e të dëmtuarit, ato diktojnë edhe parashikueshmërinë e pasojave të çdo veprimi të paligjshëm e penal, duke ndikuar në parandalimin e krimeve”, shtoi Kurti.
/a.r