Policia greke ka ndaluar në një autobus të linjës Athinë-Tiranë, një shtetas kroat i dyshuar si pjesë e grupit që ekzekutuan një tifoz grek 29 vjeç një ditë më parë në Athinë.
Burime ekskluzive i thanë Top Channel se huligani kroat Domagoj Pezer 19 vjeç tentoi të largohet nga Greqia, por u ndalua në pikën e kufirit grek të Kakavijës.
Ai u prangos dhe para pak minutash u dërgua në drejtorinë e Policisë Janinë ku do të merret në pyetje.
Pas ngjarjes, ministri grek i Mbrojtjes së Qytetarit, Ioanis Oikonomou ka urdhëruar largimin e menjëhershëm nga detyrat 7 oficerëve të policisë greke EL.AS dhe ka dhënë porosi për hapjen e një hetimi të brendshëm pas vrasjes së një 29 vjeçarit grek në incidentet e dhunshme mes huliganëve kroatë e grekë në Athinë.
Nga përleshjet e dhunshme 29-vjeçari grek Michalis Katsouris është qëlluar disa herë me thikë nga një tifoz kroat dhe ka humbur jetën, ndërsa edhe 8 persona të tjerë, pesë grekë dhe tre kroatë janë plagosur.
Sipas informacioneve nga burime policore, një grup prej 150-200 tifozësh të organizuar të Dinamos së Zagrebit kanë mbërritur me makinat e tyre në Greqi, pavarësisht urdhrit të ndalimit të lëvizjes së tifozëve nga Kroacia, për ndeshjen kundër AEK-ut, në OPAP Arena./m.j