Top Channel ka siguruar foton e Rei Metës, i cili vrau 55-vjeçarin Armando Meshau, sot pas një konflikti në një qendër interneti në Vlorë.
Ai është djali i Nurihan Metës, anëtares së Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Prej disa vitesh autori dhe viktima kishin përplasje mes tyre për shkak të blerjes së një apartamenti.
Viktima Armando Meshau ka qenë në një pikë interneti për të printuar dokumente dhe sipas burimeve ka nisur të konfliktohet me Rei Metën, i cili ishte në po të njëjtin ambient.
Sipas burimeve, debati ka degjeneruar me grushte ku shkaku ka qenë një banesë dhe sipas burimeve brenda pikës së internetit Armando Meshau, i cili ishte ndërtues, ka debatuar me Metën, duke e ofenduar me fjalë banale dhe i ka thënë që s’ke për ta marrë apartamentin.
Pas debatit, 33-vjeçari banues në Tiranë e ka qëlluar Meshaun dy herë me grusht në fytyrë dhe nga goditja ai ka rënë pa ndjenja në tokë duke humbur edhe jetën.
Ngjarja e rëndë ndodhi pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Vlorë, rreth orës 11:45, në lagjen “Hajro Çakërri”.
Policia e Vlorës e ka shoqëruar Metën në ambientet e Policisë, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale, ndërsa vijojnë hetimet për zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarje./m.j