Një repere e vetëshpallur, me emrin e artit “Wall Street Crocodile” dhe bashkëshorti i saj biznesmen e haker njëkohësisht, janë deklaruar fajtorë për grabitjen dhe përpjekjen për të “pastruar” Bitcoin me vlerë rreth 4.5 miliardë dollarë.
Dyshja pasi u arrestuan, u deklaruan fajtorë për pastrim parash në lidhje me vjedhjen nga platforma e shkëmbimit të kriptomonedhave Bitfinex.
Ilya Lichtenstein dhe Heather Morgan paraqitën kërkesat e tyre përpara gjykatësit në SHBA, pasi qeveria i kishte akuzuar ata për një mega-komplot ku do të pastronin 119,754 Bitcoin që ishin vjedhur pas një hakerim të ndodhur në vitin 2016.
Lichtenstein, i cili njihej në rrjetet sociale si investitori më i mirë në kompanitë e teknologjisë, pranoi gjatë seancës se ishte ai që orkestroi hakerimin.
Tani ai do të përballet me 20 vite burg, ndërsa e dashura e tij, e cila e quan veten edhe “Razzlekhan”, tha se burri i saj nuk e kishte informuar për grabitjen deri në fillim të vitit 2020. Ajo u shpreh se fillimisht ka menduar se paratë e tij mund të kishin ardhur nga droga ose evazioni fiskal.
Kur çifti udhëtoi për në Kazakistan dhe Ukrainë, Morgan pretendoi se qëllimi ishte turizmi.
“Më kujtohet ai duke djegur dokumente në një kosh plehrash në Kazakistan“, tha ajo.
Por gjykatësi tha se Lichtenstein rekrutoi Morgan për ta ndihmuar që të fshehë burimin e fondeve të paligjshme. Për shembull, Morgan pranoi se kishte varrosur monedha ari, të cilat Lichtenstein i kishte konvertuar nga fondet e vjedhura, ndërkohë që mbante disa nga të ardhurat e paligjshme në llogaritë e saj të ligjshme.
“Unë e ndihmova atë të pastronte paratë nën drejtimin e tij“, rrëfeu Morgan.
Prokurorët pretendojnë se të dy protagonistët e “vjedhjes së shekullit” kanë përdorur identitete të rreme për të krijuar llogari në internet dhe mbuluan transaksionet duke depozituar dhe tërhequr fondet e vjedhura nga shkëmbimet e monedhave virtuale dhe tregjet e errëta.
Një pjesë e parave shkoi për të blerë token të pandryshueshëm, ose NFT, ar dhe karta dhuratë Walmart.
Gabimi i tyre i madh ishte se ata përdorën kriptovaluta për të blerë karta dhuratash nga zinxhiri i supermarketeve, i cili përfundimisht i nxori zbuluar.
Kur Bitfinex u hakua, Bitcoin ishte nën 1000 dollarë, ndërsa vlera e kriptovalutës më të shtrenjtë arriti në 44,000 dollarë amerikanë në kohën kur dyshja u arrestuan në fillim të vitit 2022, duke e rritur kështu vlerën e aseteve të vjedhura në 4.5 miliardë dollarë, nga të cilat 3.6 miliardë dollarë u gjetën nga autoritetet./m.j