Një video e zyrës së sherifit të një konteje në Florida u bë virale në rrjet për faktin se një efektiv filmoi momentin kur hidhet në det të hapur për të kapur një varkë pa drejtues që po lundronte me shpejtësi rreth 65 kilometra në orë.
Ngjarja ndodhi të dielën e kaluar, kur patrulla detare e zyrës së sherifit në kontenë Pinellas mori një telefonatë se drejtuesi i një skafi kishte rënë në ujë dhe mjeti lundrues po lëvizte me shpejtësi. Efektivët u vunë në ndjekje të skafit pasi drejtuesi u shpëtua nga pushues të tjerë dhe njëri prej tyre, i identifikuar më vonë si “Fernandes”, shihet në kamera teksa hidhet si një protagonist i filmave aksion, për të kapur varkën që po “arratisej”.
Autoritetet njoftuan se incidenti përfundoi pa të lënduar.
/a.r