Gjykata e Tiranës i ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg me afat 40 ditë” Dritan Goxhajt. Togat e zeza kanë kërkuar informacion shtesë nga ana e drejtësisë së Kosovës në lidhje me akuzat e ngritura në ngarkim të ish-ushtarit të UÇK-së.
Përballë togave të zeza, Goxhaj ka pretenduar se nuk ka bërë asgjë të paligjshme përveç disa shkrimeve në rrjetet sociale. Ai kërkohet nga ana e autoriteteve të Kosovës për intimidim të dëshmitarëve.
Pak ditë më parë, Gjykata e Hagës ka kërkuar ekstradimin e Goxhajt. Letërporosia nga Kosova është ekzekutuar nga institucionet e drejtësisë tonë.
Në njoftimin zyrtar të Prokurorisë së Tiranës thuhet se Goxhaj akuzohet për “Frikësimi gjatë procedurës penale” dhe “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, parashikuar nga legjislacioni penal i Republikës së Kosovës. Gjykata e Tiranës i ka caktuar masën e sigurisë arrest në burg dhe po ashtu ka firmosur edhe lejen për kontroll të banesës së tij.
Dritan Goxhaj është djali i ish-zv/shefit të Shtabit të UÇK dhe kolonelit të njohur nga Shqipëria, Dilaver Goxhaj. Kolonel Goxhaj iu bashkua vullnetarisht luftës në Kosovë. Më pas edhe djali i tij iu bashkua UÇK-së si oficer i Ushtrisë Shqiptare. Ai ka pasur autorizimin e Shtabit të Përgjithshëm që të mbante kontakte me Komandën e Forcave Amerikane në Shqipëri./m.j