Presidenca e Kosovës njofton se presidentja Osmani nuk e ka dekretuar ende ligjin për rritjen e pagës minimale, për shkak të një lajmërimi të marrë nga Gjykata Kushtetuese e vendit.
Sipas kësaj gjykatë, ky ligj shumë i kontestuar në momentin e miratimit në kuvend, do të mund të dekretohet nga kryetarja e shtetit, vetëm kur ajo të japë vendimin përfundimtar.
”Pas pranimit të kërkesës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së këtij ligji, Gjykata Kushtetuese e ka njoftuar Presidenten Osmani për kontestimin e ligjit. Përmes këtij njoftimi, bazuar në Kushtetutë dhe ligjin për Gjykatën Kushtetuese, gjykata e ka njoftuar Presidenten se ky ligj, mund të dekretohet dhe të hyjë në fuqi, vetëm pasi që Gjykata Kushtetuese ta ketë nxjerrë vendimin përfundimtar për ligjin e kontestuar, sipas praktikave standarde që ndiqen në raste të tilla dhe që janë në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin për GJK”, tha zëdhënësi i presidencës.
Ligji për rritjen e pagës minimale u ankimua në Gjykatën Kushtetuese nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës pasi në të nuk ishin të përfshirë edhe veteranët e luftës.
/f.stafa