Tre astronautët e anijes kozmike kineze “Shenzhou-15” u takuan me shtypin të hënën, gjatë daljes së tyre të parë në publik pas kthimit në Tokë .
Sipas konferencës së shtypit të zhvilluar në Qendrën e Astronautëve të Kinës në Pekin, të tre taikonautët, siç quhen ndryshe astronautët kinezë, kanë përfunduar fazat e karantinës e të rimëkëmbjes dhe kanë hyrë në fazën e vëzhgimit.
Anije kozmike “Shenzhou-15”, që u lëshua më 29 nëntor 2022, i çoi tre taikonautët – Fei Junlong, Deng Qingming dhe Zhang Lu – në stacionin hapësinor të Kinës.
“Trioja” ka arritur shumë përparime në hulumtimet hapësinore të Kinës, duke kryer fazën e fundit të ndërtimit të stacionit hapësinor dhe duke nisur fazën e tij të parë të funksionimit dhe të zhvillimit
Ata janë ekuipazhi i fluturimeve hapësinore me moshën mesatare më të madhe deri më sot dhe kanë kryer katër aktivitete jashtë stacionit hapësinor, duke shënuar rekord për ecjen në hapësirë të një ekuipazhi taikonautësh.
Fei, komandanti i ekuipazhit, tha se aktivitetet jashtë stacionit hapësinor që kryen ata, shënojnë një pikënisje të re, dhe shprehu besimin se ekuipazhet në vijim do të shënojnë rekorde të reja.
Gjatë detyrës së tyre, tre taikonautët kryen me sukses dorëzimin me ekuipazhet e “Shenzhou -14” dhe “Shenzhou-16”.
Taikonuati Zhang Lu tha se ata ia përcollën kujdesin që ekuipazhi i “Shenzhou-14” tregoi ndaj tyre, ekuipazhit të “Shenzhou-16”. “Miqësia e thellë është një besim i ndërsjellë midis jetës dhe vdekjes, por edhe vijimi i shpirtit të fluturimeve kozmike,” shtoi Zhang.
Trioja kreu gjithashtu edhe disa detyra të nxjerrjes së materialeve nga stacioni hapësinor, tetë kërkime për faktorët njerëzorë dhe për teknologjinë ergonomike, 28 eksperimente mjekësore të fluturimeve kozmike dhe 38 eksperimente të shkencës hapësinore, përfshirë ekologjinë e jetës, shkencën e materialeve dhe mekanikën e lëngjeve.
Nga këto detyra janë marrë të dhëna të vlefshme eksperimentale, sipas Agjencisë së Fluturimeve Hapësinore me Astronautë të Kinës.