Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur kërkesën në GJKKO për dërgimin për gjykim në ngarkim të të pandehurve, kryebashkiakut të Himarës, Alfred Beleri dhe Pandeli Kokaveshi. Beleri dhe Kokaveshi akuzohen për veprën penale “korrupsioni aktiv në zgjedhje” e kryer në bashkëpunim.
SPAK njofton se nga analiza një nga një dhe në unitet e provave të administruara gjatë hetimit, sikurse janë të dhënat e përftuara nga përgjimet audio/video, nga kqyrjet e telefonave, nga kqyrjet e akteve të ekspertimit kompjuterik, nga deklarimet e personave që kanë dijeni për veprën penale etj, rezulton se është e provuar tej çdo dyshimi të arsyeshëm që i pandehuri Dhionisios Alfred Beleri i ka ofruar shtetasit Arsen Rama shumat monetare prej 50 Euro për çdo person që do të gjente Arseni, që do votonte për Belerin si kandidat për kryetar të Bashkisë Himarë, në zgjedhjet vendore të datës 14 Maj 2023 ndërsa vetë shtetasit Arsen Rama i ka premtuar si shpërblim për shërbimin që do të kryente shumën 300 Euro.
Më tej, SPAK thotë se i pandehuri Dhionisios Alfred Beleri ia ka dhënë shumat monetare Arsenit nëpëmjet të pandehurit tjetër Pandeli Kokaveshi, i cili ka qenë bashkëpunëtori i tij në kryerjen e këtij akti korruptiv dhe ky i fundit i ka dhënë shtetasit Arsen Rama tetë kartëmonedha të prerjes 5 000 Lekëshe për tetë persona që do votonin në favor të shtetasit Dhionisios Alfred Beleri.
“Në rastin konkret të pandehurit e kanë kryer veprën penale me veprime aktive të kundërligjshme në dy forma të saj, si nëpërmjet premtimit dhe ofrimit të shumave monetare shtetasit Arsen Rama në mënyrë që ky i fundit të ndikonte tek vullneti i qytetarëve të tjerë për të siguruar vota në favor të të pandehurit Dhionisios Alfred Beleri në zgjedhjet vendore të datës 14 Maj 2023”, thuhet në njoftimin e SPAK.
Beleri u arrestua dy ditë para zgjedhjeve të 14 Majit, ku doli fitues për Bashkinë e Himarës. Ai fitoi mori 19 vota më shumë se Jorgo Goro, kandidat i Partisë Socialiste.
/a.r