Një ditë pas ngjarjes së rëndë në fshatin Hamallaj, anëtarë të familjes Kaçi kanë folur për News24. Në një intervistë për gazetarin Igli Çelmeta, 80-vjeçari Pjetër Kaçi, i cili ishte i pari që u dhunua nga pjesëtarë të familje Nikolla ka treguar motivin e konfliktin dhe çfarë ndodhi ditën e djeshme.
Ai tha se me Nikollajt janë të afërm dhe se dje është sulmuar kur po çonte bagëtitë për të kullotur.
Shkak për ngjarjen e djeshme, që solli dhe arrestimin e gardistit Martin Nikolla, pjesëtar i grupit të shoqërimit të kryeparlamentares Lindita Nikolla është bërë një konflikt i vazhdueshëm për motive pronësie për një rrugë mes familjeve Kaçi dhe Nikolla.
Kjo e fundit dhe pse ka një rrugë para banesës, por kërkon të përdorë rrugën tjetër që kalon në pjesën e familjes Kaçi.
Fillimisht dje është sulmuar i moshuari Pjetër Kaçi, më pas kanë ndërhyrë djemtë e tij, teksa Martin Nikolla me detyrë pjesëtar i grupit të shoqërimit të kryeparlamentares Nikolla ka qëlluar me armë ndaj familjes Kaçi.
“Ka hyrë fërkimi për dy kolona. Tjetër gjë nuk kam pas me ta. I kemi pas nënat motra, i kam të afërm. Unë i kam prurë këtu. Shteti mbaroi detyrën e vet, sepse kolonat nuk duhet t’i kishte prishur pa vendim gjykate. Më pas erdhën për të prishur këtë rrugën këtu. Unë nuk di se qysh me bo me ata. Gruaja e Martinit ka ardhur këtu dhe më ka sharë, ka thënë fjala të pista. Dhe gruan e tij e kam të afërme. Këta janë prishur mendsh, kujtojnë se kanë prekur qiellin me dorë. Kanë myt veten dhe mua.
Dje unë shkova çova lopën në parcelë. Ka qenë plan i kurdisur. Ka ardhur djali i madh. Më tha hë, shyqyr që më fole, dhe erdhi prej atje këtu dhe tha do të lahet me gjak ky vend. Më pas erdhën kalamajtë dhe gruaja ime.
I kam çuar pleqtë me zakon të Mirditës, nuk i ka pranuar. Nuk e di ku i kam rënë në qafë”, tha i moshuari.
Djali i tij, dhe ai i dhunuar gjatë konfliktit me shkopa bejsbolli tha se familja Nikolla kërkon rrugë në oborrin e tij të shtëpisë. Ai theksoi se kjo nuk pranohet dhe do ketë përshkallëzim nëse nuk merr shteti masa.
“Babai im ka qenë duke çuar bagëtinë në parcelë. I kanë dalë para dhe i kanë thënë pse sheh nga ne. Arbeni i ka dalë përpara dhe i ka thënë do lahet me gjak ky vend. Ka dalë dhe nëna ime për të mos i lënë të bëjnë debat.
Ata kanë thënë duam çunat. Dolëm ne, filloi konflikti, morën shkopa bejsbolli e filluan duke qëlluar. Ata kanë pritur që të ishim ne. Aty nisi konflikti, shkuan e morën armën, qëlloi në oborr të shtëpisë nga ne. Fati jonë që nuk kemi pasur lëndime. Konflikti ka nisur dhe për këtë rrugë sepse ka pasur një gentplan që ma kanë lënë shtëpinë pa oborr fare. Ky komshi këtu ka letra e të gjitha, e ne të mos na i japin është e padrejtë. I bëj thirrje Edi Ramës. Ata më kërkojnë rrugë në oborr të shtëpisë, kjo nuk pranohet dhe do ketë përshkallëzim nëse nuk merr shteti masa. Rrugën e kanë para banesës, kërkojnë dhe rrugë në derë të shtëpisë sime.
Ne ishim duke u zënë, kur njëri vëlla ka shkuar ka marrë armën dhe ka qëlluar. Kanë qenë 4 vëllezërit Nikolla, me gratë, më pas kemi ardhur ne. Ata vijnë këtu na ofendojnë, duke bërë të fortin”, tha djali.
/f.stafa