Nga Kristo Mërtiri
Përfytyroni fillimin e bukur të një “minidasme” nën tingujt drithërues të Himnit Kombëtar Shqiptar. Në zemër të Kryeqytetit, në mjediset e Muzeut Historik. Atje ku 80 vite më parë të sharronte mitralozi nazist dhe llojet e tjera të armëve pushtuese. “Duhet cliruar me cdo kusht Tirana jonë e kuqe !”, kaq thoshnin me njeri-tjetrin vajzat dhe djemtë partizanë të Brigadës së Parë Sulmuese. Ky ishte zjarri mëmëdhetar. Kjo ishte thirrja që hodhi në tym e në flakë të gjithë. Dhe nuk dolën befas nga dheu, e as ranë nga qielli. Ata nuk vinin nga zyrat e shtëpitë me kondicionerë apo nga shoqata emërndjellëse me tituj a me spaleta farfuritëse. Ato vinin përmes erës së barotit në fusha, rrugë, kodra e male. Erdhën me betimin e shenjtë pranë shoqeve e shokëve të rënë në betejat kundër okupatorit. Erdhën nga Vithkuqi historik; nga Tenda e Qypit ku “Komandant Mehmeti “Para !” po thërret !”; erdhën nga Qafa e Gjarprit e gjetkë ku sot e kësaj dite dëgjohet ende sokëllima e Karadakut (Xheladin Beqiri) me shokë:”-Me luftë e nisëm, me luftë do ta mbarojmë ! Me gjak e nisëm, me gjak do ta fitojmë !”. E tha mbi trupin e shtrirë të Asim Zenelit mbi Vjosën e turbulluar, ashtu me grushtin lart, me zemër në dorë kosovaro-labi i pavdekshëm, trimi që nuk e bën më nëna. Pak më vonë, Qamil Buxheli e Mustafa Krantja dhe i papërsëritshmi mitralier mbi shkëmb, Mentor Xhemali do e përhapte këngën lapidar në tërë kontinentet…
Ndjesi të tilla në Ditën e Veteranit, janë të natyrshme e tepër njerëzore. 20 Korriku është dita e “monumenteve të gjalla të historisë”. 66 vite kështu ! Flokëbardhë shekullorë kanë mbetur fare pak. Ata vijnë me hap të rënduar e me zemra të gëzuara. Janë në dekadën e dhjetë të jetës. Nderim e mirënjohje secilit ! Por unë doja të takoja e nderoja një veteran e personazh jo dosido, një mikun tim të vjetër që nuk përton të shkojë në Shkodër dhe në Grykën e Peshtan-Mezhgoranit; në Margëllicin e 4 Heronjve të Popullit dhe në Vlorën e Flamurit Kuq e Zi; në Labinot Mal e në Krujë etj. Kur përdor një shkop “sigurie” dhe oratorinë e tij pa pikë ujë të tepërt, mua më duket se i shtohet fisnikëria, serioziteti e mirësia, humori e atdhetaria, gjykimi i urtë dhe dituria…Dhe ulet e bën gati libra të rinj ne filozofi e eseistikë, në politikë e letërsi, në jetën sociale dhe në histori. Është vërsniku i Dritëroit tonë, bashkënxënës në Gjimnazin e famshëm të Gjirokastrës. Është Profesor Hulusi Hako. Njëri nga Devolli i pagjumë dhe tjetri nga Delvina historishumë. Të dy “Debatikas” me gjurmë të pastra, modeste e të pazhurmë. Asnjëherë nuk kërkuan dekorata, kolltuqe e poste zyrtare. Historia mban shënim. Të ish gjallë Dritëroi (dy nga bashkëarkitektët e Platformës së Bashkimit Kombëtar në fillimet e Pluralizmit dhe në kushtet e terrorit të pushtetit të djathtë), kam bindje të palëkundur se nuk do ta lidhte gjuhën e penën përballë fyerjeve e sharjeve ordinere ndaj Profesorit në median e “pavarur” te cengelët e marrëzisë e të ligësisë. Madje, edhe një ditë para Ditës së Veteranit (?!). Nuk e kisha parë kurrë Rezin (vajza) aq të pezmatuar e të fyer rëndë nga rrëketë fshatareske të një autori të panjohur(“palaco zbulimi i djeshëm”, e quajti një Pasardhës Veterani i nderuar). Dhe media e “pavarur” i hap shesh për të bërë përshesh, duke shkelur me të dyja këmbët kodet morale, profesionale e qytetare. Dhe kundër kujt ? Kundër një akademiku e “gjenerali” në fushën e vet. Turpi i mbuloftë ! Ndërsa një përgjigje e shkurtër (reagim) e vajzës Rezi, flet shumë për edukatën, kulturën, mirësjelljen dhe dinjitetin e familjes delviniote…
Atë ditë kisha botuar një shkrim për gratë Pasardhëse Veterani, që lanë kafenetë dhe kondicionerët e Tiranës dhe shkuan në Labinot Mal. Në një paragraf thoshja se “sot, lihen mënjanë hallet dhe marazet”! Si në cdo Festë Atdhetarie. Po të arrish deri në atë derexhe, kjo flet shumë. Organizatorët e Festës nuk bënë asnjë def apo t’i përzinin e shporrnin nga ceremonia serioze disa fytyra e veprime karagjoze, duke urryer thikat dhe cdo lloj përcarjeje. Për atë grup të vockël, nuk them se u ka marrë koka erë e as se janë eksiq ose të dehur nga postet e kolltuqet. Se problemet “e brendshme” statutore e organizative, nuk zgjidhen në ndonjë gazetë të “pavarur”. Veteranët e Pasardhësit kanë “Kushtrim Brezash”. Mos vallë egoizmi i ka bërë të jenë të dashuruar me vetveten ?! Organizata jonë “Nderi i Kombit” është një lumë i pashtershëm që do të gurgullojë brez pas brezi. Vecse në dimër a pranverë mund të nxjerrë vetiu anash edhe “kërcunj” të kalbur. Por ai do të rrjedhë e do të derdhet natyrshëm në detin e pakufishëm të Atdhetarisë. Sepse “Ata që nuk respektojnë veteranët nuk janë të rinovuar, por të tërbuar”. Pa harmoni shoqërore nuk mund të ketë demokraci. Daullja e “dasmës” bie për ata që kanë veshë e zemërgjerësi, jo smirë, zili, kapadaillëk e skuthllëk ! Përndryshe, atë gjëmë që nuk e bëri dot mbi 30 vjet e djathta ekstreme, po luftojnë ta bëjnë realitet nga brënda ca pijanecë, të shitur e të blerë dhe ca karkalecë që zakonisht dëmtojnë rëndë të lashtat. Po ata qindra e mijëra që nuk kanë provuar asnjë post e kolltuk dhe as e kanë mendjen atje, c’farë borxhi u kanë ?! Shkurt, pa u kthyer në rrip daulleje të vjetëruar, duhet respektuar cdo festë atdhetarie. Aq më tepër Dita e Veteranit. Peshorja e ndershmërisë dhe e pandershmërisë nuk vendoset nga gojëtarë panegjerikë me cene e cyrykë !