Agjencia e Mbikëqyrjes Policore njofton se ka arrestuar efektivin e Gardës së Republikës, Martin Nikolli. Ky i fundit, së bashku me anëtarë të tjerë të fisit të tij, kanë dhunuar 2 pjesëtarë të familjes Kaçi paraditen e sotme në Hamallaj të Durrësit.
Martin Nikolli gjatë sherrit ka qëlluar në ajër me armën e shërbimit, por për fat të mirë nga të shtënat nuk është lënduar njeri, ndërsa policia ka bërë të mundur shoqërimin e të gjithë personave të përfshirë në konflikt.
“Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Durrës-Kavajë) nën drejtimin e Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës ka arrestuar në flagrancë për kryerjen e veprave penale “Kanosja”, “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prishja e qetësisë publike” punonjësin e Gardës së Republikës Inspektor M. N., pasi dyshohet se është përfshirë në një konflikt me sende të forta dhe ka përdorur armën e shërbimit gjatë kohës që nuk ka qenë në detyrë, duke kryer veprime të kundërligjshme.
Veprimet procedurale u kryen mbi bazën e njoftimit për një ngjarje me armë të ndodhur sot në fshatin Hamallaj Durrës, ku punonjësi i Gardës së Republikës ka kryer veprime antiligjore, të cilat kanë sjellë si pasojë dëmtime me dashje të disa shtetasve. Në përfundim të veprimeve të para hetimore në bashkëpunim me Prokurorinë, u krye “Arrestimi në flagrancë” i shtetasit M. N., 50 vjeç, me detyrë N/Oficer Sigurie në Grupet e Shoqërimit, pranë Gardës së Republikës të Shqipërisë.
AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.”
Njoftimi i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Durrës-Kavajë)