Shqipërinë e vizituan vetëm muajin e shkuar 1 milion të huaj. Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se gjatë qershorit pati 15 për qind më shumë turistë se një vit më parë.
Marrë në harkun e 6 muajve, në vend rezulton të kenë hyrë gati 3.4 milionë të huaj, nga pak më shumë se 2.5 milionë në janar-qershor të vitit të shkuar duke u zgjeruar kështu me 33 për qind.
“Vërejmë këtë rritje për 6-mujorin. Parashikimet për sezonin veror janë të larta dhe jemi duke i arritur. Për korrikun dhe gushtin presim të kemi mbi 90 për qind të kapacitetet e zëna. Presim që dy vitet e ardhshme të kemi mbi 70 për qind të kapaciteteve të zëna deri në fund të shtatorit”, thotë Anisa Ceno, sipërmarrëse në turizëm.
Pjesa më e madhe e tyre kanë deklaruar se po hynin në vend si pushues, ndjekur nga udhëtarët transit, ata për bërë biznes, trajtime shëndetësore apo qëllime fetare.
“Cikli i turizmit është zgjeruar, por ende jemi larg objektivit për turizëm 365 ditë. Duhet që ne strukturat hoteliere, bashkë me sipërmarrjet në fushën e turizmit kulturor, malor etj. të ofrojmë më shumë për të pasur të huaj që nuk e lidhin ardhjen e tyre në Shqipëri vetëm me shërbimet e detit”, thotë Ceno.
Të dhënat nga INSTAT tregojnë se teksa në harkun e muajve janar-qershor në Shqipëri hynë gati 3,4 milionë të huaj, nga vendi dolën plotë 3 milionë qytetarë, shifër kjo 20 për qind më e lartë se një vit më parë.
/f.stafa