Një 34-vjeçar është arrestuar nga policia e Beratit, pasi në banesën e tij iu gjet një sasi prej 706 gramë kokainë, të cilën e shiste në doza të vogla.
Policia bën me dije se ka proceduar penalisht gjithashtu dhe 4 persona të tjerë të cilët dyshohet se bashkëpunonin me 34-vjeçarin.
Nga hetimet ka rezultuar se shtetasi E. Sh. siguronte kokainën në sasi dhe më pas ua shiste 4 shtetasve të tjerë, që ta shpërndanin në doza, në zona të ndryshme në qytetin e Beratit.
Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.
“Pas një hetimi disamujor me metoda proaktive, të kryer nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Berat, në bashkëpunim me Prokurorinë, u ushtrua kontroll në banesat e 5 shtetasve, ku u gjetën dhe u sekuestruan sasi të lëndës së dyshuar narkotike kokainë.
Në vijim të veprimeve procedurale u arrestua shtetasi E. Sh., 34 vjeç, banues në lagjen “Uznovë”, Berat, pasi në banesën e tij u gjetën dhe u sekuestruan rreth 706 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë.
Gjithashtu, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit M. N., 37 vjeç, E. N., 46 vjeç, S. S., 32 vjeç dhe M. N., 44 vjeç, të gjithë banues në lagjen “Uznovë”, Berat, pasi gjatë kontrollit në banesat e tyre u gjetën dhe u sekuestruan sasi të vogla kokaine”, njofton policia.
/f.stafa