Gjykata e Sarandës ka dënuar me 24 vite burg dy autorët e grabitjes me armë të noterit Thoma Kaçi, ngjarje e ndodhur në 20 tetor 2021. Samet Brahimi, 35 vjeç nga Shkodra, i dënuar më parë në Greqi për vrasje dhe Ilia Mata, 30 vjeç nga Tirana, u dënuan me nga 18 vjet burg secili për “vjedhje me armë” dhe “mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” por në aplikim te gjykimit të shkurtuar u dënuan me nga 12 vite burg, ndërsa Elis Avduli alias Mile Xhafa, 54 vjeç nga Konispoli, i dënuar më parë në Greqi për trafik droge, u shpall i pafajshëm. Për dy të parët Prokurori Ilir Hoxha kishte kërkuar të njëjtin dënim që dha gjyqtari Fatmir Ndreu, ndërsa për Avdulin kishte kërkuar 12 vjet burg dhe me gjykim të shkurtuar 8 vjet.
Mëngjesin e 20 tetorit 2021, dy persona i zunë pritë Thoma e Martha Kaçit teksa ata po merrnin ashensorin për të dalë nga banesa në lagjen nr.4 të Sarandës. Nën kërcënimin e një Kallashnikovi, grabitësit i futën brenda bashkëshortët, i lidhen dhe u larguan me rreth 13.500 euro dhe mbi 5 milionë lekë të vjetra e dy çelësa automjetesh. Në dëshminë e tij noteri Kaci tha se fillimisht njeri prej autorëve i tha se kishte urdhër për ta vrarë Kacin por nëse ai i jepte para, ai do e falte.
Pas kqyrjes së disa pamjeve filmike, policia në 3 nëntor 2021 arrestoi fillimisht tre të dyshuar, Oltjon Kolonja, Vladrias Himaj dhe Elis Avduli. Por në 17 maj në Tiranë u arrestua me Kallashnikov në makinë shkodrani Samet Brahimi. Gjatë marrjes në pyetje ai pranoi edhe grabitjen e noterit në Sarandë.
“Është e vërtetë që në këtë datë unë së bashku me shtetasin Ilia Mata kemi qenë në qytetin e Sarandës dhe kemi vjedhur me armë në banesën e shtetasit Thoma Kaci një shumë parash prej rreth 22 mijë eurosh. Ideja për këtë vjedhje ishte e Ilia Matës dhe e imja. Në Sarandë kemi shkuar një natë para ngjarjes dhe kemi fjetur në një hotel emri i të cilit nuk më kujtohet.
Në Sarandë kemi shkuar me autobus dhe me vete kemi patur dhe armën me të cilën bëmë vjedhjen. Banesën e shtetasit Thoma Kaci e dinte shoku im. Pasi kemi hyrë në shkallë, jemi ngjitur në katin e fundit dhe kemi pritur deri sa të dilnin të zotët e shtëpisë. Diku rreth orës 07:40 nga banesa ka dalë shtetasi Thoma Kaci dhe bashkëshortja e tij dhe në këtë moment kemi zbritur nga kati më lart dhe nën kërcënimin e armës i kemi futur përsëri në banesë. Pasi kemi hyrë në banesë, i kemi ulur në karrige dhe i kemi lidhur.
Më pas kemi filluar të kontrollonim shtëpinë dhe në çantën e gruas kemi gjetur një sasi eurosh prej rreth 22 mijë. Më pas jemi larguar duke ecur në këmbë për rreth 10 minuta deri në vendin ku na priste një automjet dhe më pas jemi larguar. Arma ka qenë një automatik kallashnikov dhe ka qenë me dy krëhëra të lidhur me ngjitës.
Unë kam qenë në burg në shtetin Grek pasi jam akuzuar për një vrasje e ndodhur në vitin 2009. Unë kam qenë në disa burgje si në Koridhalos dhe në Dhomoko”, është shprehur mes të tjerash Brahimi.
Menjëherë prokuroria ka kryer arrestimin e tij dhe të Matës. Disa muaj më vonë për mungesë provash u lirua Kolonja dhe Himaj, për të cilët prokuroria ka vendosur pushimin e cështjes, por nuk është bindur për Avudlin, i cili edhe pse u lirua në 16 shkurt të këtij viti për shkak të tejkalimit të afateve të paraburgimit, sërish u dërgua për gjykim me akuzën “vjedhje me armë në bashkëpunim”, në rolin e shtytësit. Megjithatë Avduli u shpall i pafajshëm nga Gjykata për mungesë provash.
/f.stafa