Policia e Sarandës ka vijuar aksionin për evidentimin e hapësirave publike të zëna padrejtësisht, të kthyera në parking privat.
Ndërkohë, policia ka proceduar penalisht 4 shtetasit që ushtronin këtë veprimtari të paligjshme dhe fshihnin të ardhurat e përfituara prej saj.
NJOFTIMI I POLICISE
Gjatë kontrolleve janë evidentuar 4 raste të pushtimit të hapësirave publike, afër zonave bregdetare, me qëllim përdorimin e tyre për parking me pagesë, kryesisht për turistët dhe vizitorët. Procedohen penalisht 4 shtetasit që ushtronin këtë veprimtari të paligjshme dhe fshihnin të ardhurat e përfituara prej saj. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, në vijim të kontrolleve të ushtruara me qëllim evidentimin e rasteve të zënies së hapësirave publike në mënyrë të paligjshme, për përfitime ekonomike, kanë evidentuar 4 raste të tilla.
Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare janë referuar materialet në Prokurori dhe ka nisur procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:
•A. T., 38 vjeç, A. K., 45 vjeç, Sh. A., 58 vjeç dhe F. N., 59 vjeç, banues në Sarandë.
Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas kishin zënë në mënyrë të paligjshme, hapësira publike të dedikuara për parking pa pagesë, dhe i përdornin ato në mënyrë të paligjshme, për të përfituar pagesat për parkimin e automjeteve, kryesisht nga vizitorët dhe turistët. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme./m.j