Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurisë të BE-së, Federica Mogherini nis nesër një takim zyrtar në Tiranë. Mogherini do të qëndrojë në Tiranë më 3 dhe 4 mars, kohë gjatë të cilës do të takohet me përfaqësuesit më të lartë të politikës në vend.
Nesër, më 3 mars, në orën 19:00 Mogherini do të takohet me kryeministrin Edi Rama, ndërsa të premten, më 4 mars do të takojë presidentin Bujar Nishani dhe ministrin e Jashtëm, Dimir Bushati.
Situata e tensionuar politike mes opozitës dhe mazhorancës në lidhje me ligjin e dekriminalizimit, por dhe atë të Reformës në Drejtësi, ku deri më tani po mungon dakordësia për t’i përfunduar me konsensus këto dy nisma, si dhe tryeza e Dialogut të Nivelit të Lartë Shqipëri-BE pritet të jenë në fokus të axhendë së vizitës zyrtare në Tiranë të Përfaqësueses së Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurisë të BE-së, Federica Mogherini.
Zyrtarja e Lartë e Bashkimit Europian pritet të përcjellë kërkesën për përmbushjen e 5 prioriteteve kyçe dhe veçanërisht realizimin e reformës në drejtësi, me qëllim që Shqipëria të mund të marrë një datë për hapjen e negociatave. Në lidhje me këtë në muajin prill Parlamenti Europian pritet që të diskutojë edhe projektrezolutën për Shqipërinë, ku pala shqiptare pret një notë pozitive, çka do t’i hapte rrugën për çeljen e negociatave për anëtarësimin në BE. Zyrtarja evropiane, Mogherini vjen në Tiranë mbrëmjen e të enjtes, ndërsa axhendën e takimeve e nis të premten. Kryesuesja e politikave të Jashtme në BE pritet të takohet me Kryeministrin e vendit, Edi Rama, ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati, si dhe me kreun e Kuvendit, Ilir Meta. Në axhendën e zyrtares së BE-së është planifikuar një takim edhe me Presidentin Bujar Nishani, si dhe me kreun e opozitës, Lulzim Basha. Ndërsa në një seancë të posaçme në Kuvend zyrtarja e BE-së do mbajë edhe një fjalim përpara deputetëve. Do të jetë pikërisht seanca e posaçme në sallën e Parlamentit që do të mbahet ditën e premte në kuadër të kësaj vizite, e cila do të bëjë bashkë deputetët e opozitës dhe mazhorancës, pas gjithë kaosit të krijuar seancën e fundit plenare.