Policia e Krujës ka arritur të parandalojë një krim në mjediset e shkollës 9-vjeçare të fshatit Larushk.
Një nxënës 14-vjeçar është konfliktuar me mësuesin dhe kjo e ka shtyrë të marrë armën në shkollë.
Policia ka arritur ta parandalojë ngjarjen duke ushtruar një kontroll në shkollë, ku nxënësit me iniciale K.M. i është gjetur një pistoletë e mbushur.
Sipas hetimeve, nxënësi nuk është përfshirë në një garë sportive nga mësuesi i fizkulturës, çka ka bërë që ai të reagonte keq. Nxënësi njihej në shkollë si problematik.
Njoftimi i policisë
Me datë 02.03.2016, efektivët e Policisë në Komisariatin e Policisë Krujë, pas një telefonate të marrë në Sallën Operative, mbi një konflikt në shkollën 9-vjeçare në Larushk, kanë ndërhyrë në mënyrë të menjëhershme, ku kanë bërë të mundur parandalimin e një ngjarjeje të rëndë kriminale midis një nxënësi dhe mësuesit të tij të fizkulturës, duke arrestuar në flagrancë shtetasin K.M., 14 vjeç, banues në Larushk, nxënës në shkollën 9-vjeçare Larushk.
Nga hetimet ka rezultuar se shtetasi i mësipërm, gjatë paradites së sotme është konfliktuar me profesorin e tij, pasi ky i fundit nuk e ka përfshirë në një garë sportive.
Nga kontrolli fizik që u krye, shtetasit të mitur iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale: një armë zjarri tip pistoletë, dy fishekë.
Autori njihej në rrethin shoqëror si person problematik.
Gjatë kontrollit që ekspertët i kryen armës së zjarrit, rezultoi se ishte e mbushur me fishekë.
/ Shekulli Online /