Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha ka deklaruar se pas Petrit Vasilit, për të dhënë shpjegime përballë Prokurorit të Posaçëm do të jenë edhe dy ekonomistët e ish-Lëvizjes Socialiste për Integrim.
E ftuar në “Top Talk”, Hoxha tha se ekonomistët do të thirren për të sqaruar lëvizjet financiare mbi kontratën e lobimit të vitit 2017, për të promovuar LSI-në dhe realizuar fotografi gjatë ceremonisë së inagurimit në 20 janar me Presidentin Donald Trump.
“Vasili qëndroi përballë Prokurorit të Posaçëm të SPAK për më tepër se një orë e 30 minuta, në cilësinë e zv.kryetarit të partisë që dikur njihej me emrin LSI. Ai nuk dha detaje, por tha për mediet se është thirrur në cilësinë e personit që ka dijeni mbi rrethanat e hetimit.
Ajo çka pritet dhe që mu konfirmua në rrugë jozyrtare nga anëtarë të grupit të hetimit është pikërisht hapi tjetër hetimor. Dy nga ekonomistët e dikur kohe Lëvizja Socialiste për Integrim, pritet që të thirren nga Prokurorët e Posaçëm të SPAK për të sqaruar lëvizjet financiare për atë që njihet si kontrata e lobimit e vitit 2017, për të promovuar LSI-në dhe realizuar fotografi gjatë ceremonisë së inagurimit në 20 janar me Presidentin Donald Trump.
Kjo është në formë të përmbledhur ajo çka prokurorët e SPAK po përpiqen të realizojnë për të kuptuar nëse ka apo jo korrupsion dhe pastrim parash.
Çështja e njohur publikisht tashmë, është se mbas të dhënave të publikuara nga mendiet ndërkombëtare një kallëzimi u bë në qershor të vitit 2022 nga një ish-deputet dhe më pas pati edhe disa kallëzime të tjera që janë bashkuar në një dhe po hetohen nga Sotir Kllapi.
Jo zyrtarisht më është konfirmuar gjithashtu se SHBA-të i janë përgjigjur një letërporosie të përcjellë vitin e kaluar nga SPAK sa i takon kësaj kontrate, ndërkohë që nuk ka ende përgjigje nga Qipro për kompaninë e përfolur si kompani guackë, por nuk kanë ende përgjigje letër-porosishë nga vende të tjera sikurse Austria dhe San Marino të cilat duhet të japin përgjigje për ndërhyrjet estetike disa milionëshe të denoncuara nga avokati Idajet Beqiri”- tha Hoxha./m.j