Rreth 10 persona janë marrë në pyetje nga grupi hetimor në Lezhë në lidhje me atentatin ndaj Nikolin Lekstakajt, i cili u vra pasditen e 19 korrikut, teksa po dilte nga një market në Balldren.
Pjesa më e madhe e tyre raportohet se janë familjarë të Ardian Nikulajt, i vrarë më 19 prill brenda lokalit të tij.
Report Tv mëson se ata kanë pretenduar se nuk kanë asnjë lidhje me ngjarjen, ndërsa janë lënë sërish të lirë. Në vijim, policia pritet të marrë në pyetje vëllain e Nikolinit, Bledi Leksatakaj, pronarin e makinës me të cilën 42-vjeçari shkoi për herë të fundit në market të mërkurën.
Marrja në pyetje është lënë të bëhet pas ceremonisë së varrimit.
Policia, pavarësisht se dyshimet i ka mbi pistën e gjakmarrjes, një pistë e tilla akoma mbetet e turbullt për hetuesit, deri në momentin që mungojnë provat konkrete.
Megjithatë, Report Tv mëson përmes burimeve, se familjarët e Lekstakajve janë të bindur se vrasja është për gjakmarrje pasi sipas tyre nuk kanë konflikte të tjera.
Ndërkohë, makina e gjetur e djegur ditën e djeshme në Gjadër është arritur të lokalizohet përmes vëzhgimit të pamjeve të kamerave të sigurisë, por nga aty hetuesit nuk dinë të thonë nëse autorët janë larguar në këmbë apo i ka pritur ndonjë bashkëpunëtor tjetër për t’i larguar me makinë. Makina është me xhama të zinj dhe përmes pamjeve është e pamundur të dallohet se sa persona kanë qenë brenda.
/f.stafa