Ministrja për Ekonominë Sociale e Solidaritetin është shkarkuar nga qeveria franceze pas më shumë se gjashtë vjetësh në detyrë, mes polemikave mbi keqmenaxhimin e supozuar të saj të një fondi publik të krijuar për të luftuar ‘ekstremizmin’.
Marlene Schiappa, e cila bëri bujë në prill pasi pozoi për kopertinën e edicionit francez të revistës Playboy, mësoi për shkarkimin e saj gjatë një telefonate me presidentin Emmanuel Macron të enjten pasdite.
“Ne folëm për një kohë të gjatë, rreth tridhjetë minuta,” tha ajo për Le Monde.
Paraqitja polemizuese e ish-ministres në Playboy tërhoqi kritika nga kolegët dhe kundërshtarët. Kryeministrja Elisabeth Borne e qortoi vendimin e Schiappa për të dhënë një intervistë në revistën për burra, duke e quajtur atë ‘aspak të përshtatshme’.
Kohët e fundit, Schiappa është përfshirë në një skandal mbi fondin ‘Marianne’, që u themelua me ndihmën e saj pas prerjes së kokës në vitin 2020 të mësuesit të shkollës në Paris, Samuel Paty.
Politikanët e opozitës i kërkuan gjithashtu asaj të jepte dorëheqjen pasi Zyra e Prokurorisë Kombëtare Financiare hapi një hetim për disa vepra të supozuara, duke përfshirë ‘keqpërdorimin e fondeve publike nga pakujdesia’.
Schiappa i ka mohuar të gjitha akuzat, duke i hedhur poshtë pretendimet si ‘shpifje’ ndërsa kërcënoi se ‘do i ndjekë rastet e shpifjes kundër të gjithë atyre që bëjnë akuza të rreme’.
/f.stafa