Fatmir Mediu i ftuar në rubrikën “Opinion” në News24, foli për çështjen e “Gërdecit”, në të cilën akuzohet nga SPAK për shpërdorim detyre në kohën kur ishte ministër i Mbrojtjes.
Mediu u shpreh se çështja e “Gërdecit” po përdoret politikisht dhe se megjithatë, ai nuk i është shmangur përgjegjësisë.
“Unë kam kërkuar që të pyetem nga Prokuroria dhe nuk jam pyetur”, u shpreh kreu i PR-së.
Mediu vijoi se ka një informacion për prezencë të disa serbëve në fabrikën e demontimit para ngjarjes, e duke mos e ditur shkakun e prezencës së tyre, kamerat që xhironin në kohë reale kanë nevojë për analizë, thotë ai.
Po ashtu, Mediu shprehet se një grup ekspertësh amerikanë thonë se nuk mund të ndodhte shpërthimi vetëm nga saldimi.
Një nga problemet e mëdha të asaj qeverie është mungesa e analizës për atë që ka ndodhur. Por ndoshta për shkak të procesit hetimor dhe konotacionit politik që mori, nuk u bë. Jo të gjitha vendet ishin dashamirëse ndaj qeverisë, sepse në atë kohë po bëhej anëtare e NATO-s.
Nuk mendoj se Shqipëria është një ishull i veçuar dhe ka interesa të qarta të vendeve që janë kundër NATO-s. Por t’i lëmë mënjanë këto insinuata, por të merremi me veprimet. Ka një informacion për prezencë të disa serbëve në fabrikën e demontimit para ngjarjes, pse kanë ardhur apo kur kanë ikur. Ka disa kamera që kanë filmuar në kohë reale, ka një seri rrethanash që kanë nevojë për analizë. Ata që kanë bërë hetimin s’kanë pasur interes për të analizuar çdo detaj dhe veprim. Një grup ekspertësh amerikanë thonë se nuk mund të ndodhte shpërthimi vetëm nga saldimi.
Unë nuk po mohoj gjetjet, por si ka ndodhur është detyrë dhe duhet vlerësuar. Për mua është një nga ngjarjet më të rënda në një moment të rëndësishme për vendin. Avokatit të familjarëve i bëj thirrje të bëjë avokatin dhe jo politikanin. Kërkova shqyrtimin në çdo lloj rrethane. Raportin e përgjegjësisë morale unë e mora kur se ka marrë askush tjetër.
Në lidhje me drejtësinë shqiptare nuk besoj se gjërat kanë ndryshuar, megjithatë jam përpjekur t’i shmangem populizmit dhe uroj që Shqipëria të ecë në një drejtësi të pavarur. Të flas për çështjen time konkrete, që vazhdohen me aludime dhe gjyqtarit t’i jepet e drejta të bëjë një nen të ri… nuk bën gjyqtari një nen të ri, por gjyqësori e adreson çështjen te Parlamenti.
Këto janë diskutime të vështira për t’u absorbuar. Unë kam kërkuar që të pyetem nga Prokuroria dhe nuk jam pyetur. Unë nuk i jam shmangur në asnjë moment këtij procesi. Unë do bëj luftën time dhe jam krenar për detyrën që pak pasur si ministër i Mbrojtjes”, u shpreh Mediu.
/f.stafa