Me urdhër të gjykatës së posaçme, agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit, si dhe efektivë të shumtë të policisë kanë zbarkuar sot në disa nga banesat në pronësi të ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj dhe të afërmve të tij.
Kontrolle janë bërë edhe në një banesë në zonën e liqenit artificial në Tirane që ish zv -kryeministri e kishte marrë me qera , por nga verifikimet në këtë ambient policia ka gjetur shumë pak sende personale te tij – shkruan VizionPlus.
Po ashtu, agjentët shkuan edhe në vilën e sekuestruar në Hamallaj, si dhe në një pallat në Gjirin e Lalzit, ku tre kate me apartamente rezultojnë në pronësi të babait të bashkëjetueses së Ahmetaj.
Pak ditë më parë, Prokuroria e Posaçme iu drejtua gjykatës me kërkesën për masën e sigurisë ‘arrest me burg’ për ish-zv.kryeministrin Arben Ahmetaj, pasi parlamenti votoi për heqjen e imunitetit të tij.
Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj po hetohet nga SPAK, për tre akuza “mosdeklarim, deklarim të rremë dhe fshehje të pasurisë”, “korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë” në gjashtë raste, si dhe “pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Vetë Ahmetaj ka mohuar akuzat e prokurorisë, ndërkohë që vijon të jetë në arrati. Avokatët e tij kanë konfirmuar se ai ndodhet në Angli.
/a.r