Ish-kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka vijuar edhe me turin e tij të takimeve me demokratët në kuadër të zgjedhjeve të kryetarit të ri të kësaj force politike.
Gjatë fjalës së tij me mbështetësit, Basha ka kërkuar nga SPAK që të godasë korrupsionin dhe krimin në nivelet më të larta. Ai ka bërë thirrje për hetimin e të gjitha kontratave koncesionare që ka nënshkruar qeveria e Ramës, si dhe për hetimin e pasurive të çdo personi të përfshirë, nga juristi më i thjeshtë, te kryeministri.
Fundi i pandëshkueshmërisë së korrupsionit dhe krimit në nivelet e larta është i vetmi fillim i vërtetë i ndryshimit të Shqipërisë.
Mënyra më e thjeshtë për të hetuar një çështje ku dyshohet se një figurë, në këtë rast politike është përfshirë në afera korruptive, ndiq paranë. Shiko çfarë shpenzon. Shiko pronat e tij dhe familjarëve të tij.
Ndiq paranë por dhe lidhjet me krimin është thelbi i vetting-ut të politikanëve. Vetëm kështu para shqiptarëve do të tregohet kush është i pastër e kush jo.
Dosja e Ahmetajt, ku shfaqej se si qeveria vepronte si organizatë kriminale, tregoi dhe njëherë se duhet një paketë ligjore radikale kundër krimit dhe korrupsionit qeveritar, duke i hequr çdo pengesë dhe dhënë mbështetje të pakushtëzuar SPAK, duke nisur me:
Hetimi i mashtrimeve me kontratat dhe fondet publike;
Hetimi pa asnjë përjashtim i kontratave koncesionare;
Hetimi i pasurive të çdokujt që është përfshirë në hartimin, miratimin dhe përfitimin e kontratave koncesionare, nga juristi i thjeshtë deri tek kryeministri;
Paratë që u janë vjedhur shqiptarëve dhe kanë përfunduar në llogari bankare, apo janë investuar kudo nëpër botë, duhet t’u kthehen shqiptarëve.
Ajo që i dhemb më shumë botës së krimit dhe të korruptuarve është sekuestrimi i pasurive.
Aleanca Qytetare për Demokracinë do të jetë koalicioni ynë për të çliruar ekonominë dhe për të çuar përpara ndryshimet që presin shqiptarët duke mundësuar:
Listat e hapura;
Vetting-un e politikanëve;
Votën e diasporës;
Kufizimin e mandatetev;
Zgjedhjen e Presidentit nga populli.
Ne do të përkushtojmë çdo energji në hapjen, fuqizimin dhe modernizimin e strukturave të Partisë Demokratike.
Ky është misioni i ri i Partisë tonë! Një parti që reflekton kohën, shoqërinë dhe nevojat e saj, që respekton kontributet, garanton karrierën, forcon meritokracinë, e hapur ndaj të rinjve dhe mendimeve të reja. Ky është modeli që duhet t’u japim shqiptarëve, si shembull i ndryshimit që do ndërmarrim për Shqipërinë.
/f.stafa