Pas më shumë se 3 vjetësh është sjellë në Shqipëri zemra e Saimir Sulës, të riut shqiptar që humbi jetën në një spital në Spanjë.
Ministria e Drejtësisë bëri me dije se Ministria e Drejtësisë, Prokuroria e Tiranës dhe Prokuroria e Përgjithshme në bashkëpunim me autoritetet spanjolle të drejtësisë realizuan me sukses procesin e riatdhesimit të zemrës të të ndjerit z. Saimir Sula në datën 15 korrik 2023 pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore, Tiranë.
“Më datë 12 korrik 2023 një grup përfaqësuesish nga Ministria e Drejtësisë, Prokuroria e Tiranës, Prokuroria e Përgjithshme, Instituti i Mjekësisë Ligjore, përfaqësuesi i Ambasadës Shqiptare në Madrid, kanë marrë në dorëzim nga pala spanjolle, organin (zemrën) e të ndjerit Saimir Sula dhe kanë përfunduar të gjithë procedurën e nevojshme sipas standardeve të parashikuara në aktet ndërkombëtare dhe legjislacionin procedural – penal të të dy vendeve. Transporti për në Shqipëri është kryer konform procedurës së përcaktuar dhe për transportin e zemrës janë përdorur mjetet e fundit teknologjike për procedura të tilla me vështirësi teknike”, sqaron Ministria e Drejtësisë.
Saimir Sula, ndërroi jetë në Spanjë më 8 maj të vitit 2020. Kur erdhi në Shqipëri, Majlinda Sula kërkoi që trupit të tij t’i behej autopsia. Mjeket konstatuan se atij i mungonte zemra.
Pas dy vitesh përpjekje, autoritetet spanjolle e kanë njoftuar vetëm muajt e fundit se e kanë gjetur zemrën e 33-vjeçarit që humbi jetën në një spital të Barcelonës ku kishte shkuar për t’u testuar për COVID.