Deputeti i foltores Edmond Spaho me një status në Facebook ka ricikluar akuzat e bëra dy vite më parë se qeveria dhe posaçërisht Ministria e Energjisë dhe Industrisë i kishte dhënë shoqërisë që do ndërtonte inceneratorët edhe një kontratë për ndërtim të impiantit të prodhimit të energjisë nga djegia e mbetjeve për 25 vite duke garantuar edhe blerjen e energjisë.
Për këtë, Spaho nuk hezitoi të akuzojë me emër edhe ish-ministrin e Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri. Një akuzë që ekzaltoi pamasë Petrit Vasilin e LSI që siç duket gjeti kohën të gëzojë e të shkëpusë mendjen nga çështja e nxehtë CEZ-DIA dhe pasojat e pritshme të saj për kokat e LSI. Vasili madje deklaroi se zbulimi i ricikluar pas dy vitesh nga Spaho ishte një bombë.
Së pari, Spaho e Vasili aludojnë se kompania e inceneratorëve kishte marrë një koncesion të dytë që mbivendosej me të parin e lëshuar nga Ministria e Mjedisit. Së dyti, Spaho e Vasili aludojnë se kompania kishte marrë të drejtën të prodhonte dhe shiste energjinë për 25 vite ndërsa kontratën e koncesionit në inceneratorin e Elbasanit e kishte vetëm për 7 vite. Pra, sikur kishte të drejtën për të shitur energjinë edhe pasi të kishte dorëzuar veprën tek shteti.
E vërteta në fakt është krejt tjetër. Së pari, ministria e drejtuar nga Damian Gjiknuri nuk ka firmosur asnjë kontratë të asnjërit prej inceneratorëve të Elbasanit, Fierit dhe as Tiranës. Në pamundësinë për ta përfshirë në këtë çështje, pasi dështuan edhe me historinë e aludimeve për pagesa hotelesh nga bosët e inceneratorëve, Spaho e Vasili kanë tentuar indirekt të shfrytëzojnë elementin e prodhimit të energjisë duke përdorur dy spekulime.
Ministria e Energjisë dhe Industrisë nuk ka lëshuar koncesion të dytë kompanisë së inceneratorit. Në zbatim të kontratës që kompania kishte në fuqi me Ministrinë e Mjedisit, të miratuar nga qeveria, ajo kishte fituar të drejtën për të ndërtuar impiantin sëbashku me pjesën e teknologjisë që bën shndërrimin e energjise termike te mbetjeve në energji elektrike. Në zbatim të kësaj kontrate, Ministria e Energjisë kishte detyrimin ligjor për të autorizuar dhe hapur rrugën e licensimit të shoqërisë “ALBTEK ENERGY” shpk. për prodhimin dhe tregtimin e energjisë.
Njësoj si dhe autorizimet e tjera që jepen për gjenerim energjie edhe në burimet e gjenerimit nga uji, dielli apo era, kjo e drejtë lëshohet për 25 apo dhe me shume vite. Pra, kompania autorizohet të prodhojë dhe të shesë energjinë elektrike të prodhuar nga përpunimi i mbetjeve. Ky autorizim është detyrim kontraktual por dhe sipas legjislacionit në fuqi. Jo lëshimi por moslëshimi i tij do të ishte një shkelje ligji nga ministria përgjegjëse.
Në përfundim të kontratës koncesionare, pra në përfundim të periudhës 7 vjeçare të koncesionit të inceneratorit të Elbasanit, kjo vepër transferohet në administrim të shtatë bashkive të Qarkut të Elbasanit. Kto të fundit marrin në pronësi veprën dhe fitojnë automatikisht edhe të drejtat e fituara nga kompania në raport me asetin.
Pra, koncesionari transferon inceneratorin bashkë me kompaninë dhe autorizimin që ka “ALBTEK ENERGY” shpk për prodhimin dhe tregtimin e energjisë elektrike. Të ardhurat që gjenerohen nga prodhimi i energjisë elektrike pas marrjes në dorëzim të inceneratorit nga bashkitë e Qarkut të Elbasanit shkojnë tek ndërmarrja shtetërore dhe koncesionari nuk ka më lidhje me asgjë pas periudhës 7 vjeçare.
Sot që flasim 7 bashkitë e Qarkut të Elbasanit kanë inceneratorin bashkë me të gjitha të drejtat e tij përfshirë dhe prodhimin e energjisë. Këtë e di shumë mirë dhe SPAK madje e ka të evidentuar në dosjen hetimore. Siç mund të shihet në ekstraktin e QKB, shtatë bashkitë e Qarkut Elbasan kanë marrë impiantin bashkë me të drejtat e fituara për prodhim energjie.
Në objektin e aktivitetit ECO-ELB është edhe prodhimi dhe shitja e energjisë elektrike, autorizimin për të cilën e ka të trashëguar nga “Albtek Energy” shpk. Ndërkohë, ECO ELB sikurse mund ta shikoni është e licencuar nga Enti Rregullator i Energjisë për veprimtarinë e prodhimit të energjisë elektrike nga centrali i përpunimit të mbetjeve urbane në Elbasan.
Pra e gjithë gurguleja se kompania e inceneratorit kishte marrë koncesion të dytë dhe të drejtën për të tregtuar energjinë për 25 vite, edhe pas përfundimit të afatit të koncesionit, rezulton të jetë një flluskë sapuni.
Ulërimat publike të Spahos dhe Vasilit ndaj SPAK-ut kanë vetëm një përgjigje: nuk ka asnjë shkelje ligjore ndaj nuk mund të ketë asnjë përgjegjës.
Vetëm logjika spahiste dhe realiteti faktik brenda shtëpisë së tij politike mund ta konsiderojë impiantin e Elbasanit si partinë e vet me dy kongrese e dy vula, që kur e ka shteti zyrtarisht duhet ta ketë akoma edhe privati. Njësoj si partinë që kur e ka Berisha e ka ende dhe Basha! (Arlind Jaçe)