Romët vazhdojnë të përballen me kushte të vështira jetese, diskriminim dhe përjashtim social. Edhe pse vendi ynë ka ratifikuar një sërë konventash për të drejtat e njeriut, instituconet shqiptare janë ende shumë larg zbatimit të tyre për komunitetin rom, kjo, e vënë në dukje edhe në progres raportin e fundit për Shqipërinë.
Historia ka treguar që marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe romëve kanë qenë të largëta dhe të ftohta, duke i konsideruar ata si qytetarë të “dorës së dytë”. Por në ndryshim nga vende të tjera të Evropës, në Shqipëri nuk ka patur konflikte dhe persekutime raciale.
Për të kuptuar se cilat janë perceptimet e qytetarëve për komunitetin rom sot, Historia Ime ka zhvilluar një sondazh online. Sondazhi ka qendruar i hapur për 25 ditë dhe ka konsistuar në pyetje që lidhen me mënyrën e jetesës, edukimit dhe punësimit.
Ajo që bie në sy nga sondazhi, është se shqiptarët nuk e kanë aspak problem punësimin e një personi nga komuniteti rom apo edukimin e fëmijëve të tyre bashkë me ata romë, por kur bëhet fjalë për ta bërë pjesë të familjes, këtu janë përgjigjur “Nuk do të më pëlqente por do ta pranoja”.
Një tjetër e dhënë e sondazhit ku qytetarët duken të painformuar apo “të lëkundur”, është për diskriminim. Të pyetur nëse diskriminimi ndaj komunitetit rom ndodh pa arsye apo ata provokojnë me sjelljen e tyre, 29.03% e personave nuk kanë asnjë informacion dhe 27.96% e tyre mendojnë se romët provokojnë me sjelljen e tyre. Vetëm 43.01% e të anketuarve nuk janë dakord me këtë gjë.
Sondazhi është realizuar përmes Survey Monkey dhe nuk ka informacione të plota mbi backgroundin e personave të përgjigjur (moshë, gjini, arsim etj).