Kuvendi i Shqipërisë miratoi ditën e sotme kërkesën e SPAK-ut që të arrestojë deputetin Arben Ahmetaj.
Me 117 vota pro dhe 3 abstenim, deputetët autorizuan SPAK-un që të ushtrojë edhe kontroll në banesën e ish-zv/kryeministrit Ahmetaj. Deputetët që abstenuan janë Fatmir Mediu, Agron Duka dhe Vangjel Dule.
Në një kërkesë, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar iu drejtua Kuvendit ku kërkonte autorizimin për arrestimin dhe kontrollin e banesës së Ahmetajt.
Mbi ish-zv/kryeministrin rëndojnë 3 akuza: pastrim parash, korrupsion pasiv në 6 raste dhe pastrim i produkteve të veprës penale.
Pas kërkesës së SPAK-ut, Kuvendi mblodhi Këshillin e Mandateve. U desh që deputetët të mblidheshin 2 ditë rresht me dyer të mbyllura për të dalë në një konkluzion.
Të dyja palët, si opozita dhe mazhoranca, ishin pro heqjes së imunitetit për Arben Ahmetajn, megjithatë secila doli me një raport të vetin.
Vetë Ahmetaj nuk ishte i pranishëm në seancë. Ajo që dihet me siguri është që ai nuk ndodhet në Shqipëri dhe këtë e kanë konfirmuar avokatët e Ahmetajt, por nuk dihet se në cilin shtet ndodhet aktualish.
Edhe në seancën plenare të së enjtes (13 Korrik) ku ishin parashikuar një sërë çështjesh të ndryshme, fokusin e mori pikërisht rasti i Ahmetajt.
Deputetët e opozitës kërkuan që të diskutohen sa më shpejt raportet e tyre dhe jo të pritej 17 Korriku, dita ku ishte parashikuar të mblidhej Kuvendi për të diskutuar imunitetin e Ahmetajt.
Për shkak të debateve dhe protestave të opozitës në Kuvend ku bllokuan vijimin normalisht të seancës, mazhoranca mblodhi Konferencën e Kryetarëve dhe u vendos që seanca e posaçme për Ahmetajn të mbahej sot.
sh-zv/kryeministri Arben Ahmetaj reagoi edhe me një postim në rrjetet sociale para seancës që u mbajt ditën e sotme në Kuvend.
Ahmetaj thotë se shpreson që drejtësia e re që ai ka mbështetur dhe votuar “me të dyja duart” të mos deformohet nën presionin e politikës dhe statistikës. Po ashtu, ai shprehet se nuk është në arrati, siç sipas Ahmetajt e quajnë disa, por ka ikur për arsye serioze familjare dhe këtë e ka bërë përpara se kërkesa e SPAK për imunitetin e tij të ketë shkuar në Kuvend.
Pasi sqaron pozitën e tij në lidhje me akuzat e SPAK, Ahmetaj shprehet se do të vijojë çdo ditë të nxjerrë të vërtetën. Në mesazhin e tij të gjatë, Ahmetaj shprehet se dikush i ka thënë që “të duan në burg vëlla” dhe se ka marrë kërcënime, të cilat i ka të dokumentuara. Postimin e tij Ahmetaj e shoqëron me një foto gjatë kohës që mbante detyrën e Ministrit të Shtetit për Rindërtimin.
/a.r