Deputeti i PD, Samir Koreshi në një intervistë për Vizion Plus ka folur lidhur me akuzat e SPAK ndaj ish zv/kryeministrit, Arben Ahmetaj.
Kreu i SPAK ka deklaruar në mbledhjen e Këshillit të Mandateve se ish zv/kryeministri Arben Ahmetaj po tenton të prishë provat dhe dëmtojë dëshmitarët, ç’mund të thoni ju duke qenë se ishit pjesë e mbledhjes?
“Nuk është folur konkretisht për cilat prova dhe dëshmitarë, nuk ka kaluar Prokuroria në detaje të tilla, por kjo ishte edhe rasti urgjencës ashtu siç deklaroi dhe Bardhi, por nuk ka pasur prova konkrete, nuk ka asnjë filan prove, apo persona të ndryshëm, nuk janë cituar që të mund t’iu them”, thekson ai.
Sipas asaj që iu dëgjuat në mbledhje, a ka Prokuroria prova mjaftueshëm për të arrestuar Ahmetajn?
“Sipas këndvështrimit tim ka prova të mjaftueshme për të shkuar një pjesë e mirë e deputetëve të PS, si dhe ish-kryebashkiakëve dhe kryebashkiakëve aktualë”, tha ai.
Përse e thoni këtë?
“Sepse ka prova në dosje, në raportin prej 320 faqesh që ka sjellë Prokuroria, ka marrje-dhënie ose shkëmbim favoresh mes deputetit Ahmetaj dhe kryebashkiakë të ndryshëm, por edhe deputetë të ndryshëm të PS”, tha ai.
Kush janë këta?
“Kam firmosur një të sekretit hetimor, kam frikë nga ligji dhe nuk mund t’i them të gjitha. Më besoni se sa është hapur kapaku i pusetës dhe mund të jetë edhe shumë e thellë dhe shumë e ndotur ajo ç’ka ka në dosje prokuroria. Jemi të habitur sepse realisht të shikosh se me çfarë lloj faciliteti veprojnë strukturat e kësaj qeverie, përmes gjithë aktorëve që kishin në pushtet vendor apo qendror, për të arritur qëllimin e tyre”, tha ai.
Ahmetaj nuk ndodhet në Shqipëri, opozita aludon për arratisje. E pyetët për këtë çështje zotin Dumani dhe çfarë përgjigje dha ai?
“Ai dha shpjegime përse jemi në këtë pikë sepse, realisht dhe sipas ligjit, ai është një qytetar i lirë i vendit përderisa nuk ka një heqje të imuntietit”, thekson ai duke shtuar se urdhër-arresti nuk mund të ekzekutohet për shkak të procedurave ligjore.
Nesër është seanca e posaçme në kuvend ku pritet të autorizohet kërkesa e SPAK për arrestimin e Ahmetajt. Si e prisni seancën e nesërme, mendoni se do të ketë unanimitet?
“Absolutisht që po, për mendimin tim, pasi as në Këshill nuk pati, nuk do të ketë surpriza mendoj as nesër, do t’i hapi rrugën. Ata që kanë lexuar këtë dosje nuk kanë mundësi të votojnë ndryshe. Ajo dosje do të vazhdojë dhe proceset do të jenë shumë më të gjata, mendoj unë”, thekson ai duke theksuar se Ahmetaj duhet të bashkëpunojë me drejtësinë.
/a.r