Ish-kryetari i Bashkisë së Fushë-Arrëzit, Fran Tuci është arrestuar një natë më parë me urdhër të SPAK. Ai akuzohet për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”.
Mësohet se edhe ndaj administratorit të njësisë është caktuar masa “arrest shtëpie”, po ashtu edhe për fadromistin.
Sipas informacioneve të para, Tuci akuzohet se ka lejuar disa banorë që të pastrojnë një rrugë rreth 1 kilometër në një fshat të thellë të Fushë-Arrëzit me fondet e komunitetit.
Kujtojmë se emri i ish-kryebashkiakut socialist u përfol në media në Qershor të vitit 2020, kjo pasi vëllai i tij Albert Tuci u vu në pranga gjatë një operacioni antidrogë. Asokohe Tuci ishte në detyrën e kreut të bashkisë Fushë-Arrëz dhe PD kërkoi që ai të jepte dorëheqjen.
Ndërsa Sali Berisha e ka cilësuar herë pas here Tucin si “miniaturë të Edi Ramës” duke shtuar se ish-kryebashkiaku ka disa dosje për korrupsion në prokurori.
Fran Tuci u zgjodh kryetar i Bashkisë Fushë-Arrëz në zgjedhjet lokale të vitit 2015, si përfaqësues i Partisë Socialiste dhe i Aleancës për Shqipërinë Europiane.
/a.r