Prej disa ditësh tashmë, është folur për mundësinë që Arben Ahmetaj të flasë për përfshirjen e personave të tjerë në aferat për të cilat ai akuzohet nga Prokuroria e Posaçme.
Megjithatë, ish-drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj shprehet se për sa kohë ish numri dy i qeverisë Rama pretendon se nuk ka kryer asnjë vepër penale, gjasat që ky skenar të ndodhë janë të pakta.
“Për sa kohë që ai pretendon që nuk ka kryer vepra penale, nuk mund të presim që të na japë disa elementë të ngjarjes së ndodhur, apo përfshirjes së personave të tjera,” u shpreh Imeraj në studion e “Debat” në A2 CNN.
Po ashtu, sipas ish-kryeprokurores, mosprezenca e ish-ministrit Ahmetaj nuk e pengon SPAK-un që të vijojë me punën e tij në kërkimin e provave të reja dhe hetimin në tërësi.
“Ahmetaj ka dhënë deklarime në SPAK. Ka shprehur qëndrimin e tij. Nuk dimë se çfarë qëndrimi ka mbajtur. Apo nëse ka dhënë detaje që mund të cojnë në drejtime që cfarë do të bëjë më tutje.”
Po sa gjasa ka që Ahmetaj të bashkëpunojë me drejtësinë? Sipas analistit Lufti Dervishi, negocimi është kapitull i mbyllur pasi e pamë që edhe vetë mazhoranca është pro heqjes së mandatit të deputetit për Ahmetajn.
“Nëse kjo do të ndodhte do të thotë që kemi një gjyqësor që negocion me politikën. Moment negocimi do të ishte ai para pak orëve kur u dha pëlqimi si nga shumica dhe pakica për heqjen e mandatit. Negocimi është kapitull i mbyllur.”
Nga ana tjetër ish-kryeprokurorja deklaroi se për Ahmetajn nuk ka një akuzë konkrete për aferën e inceneratorëve dhe rrjedhimisht nuk mund të kemi një të penduar të drejtësisë që të flasë për bashkëpunëtore.