Gjykata e Posaçme la në fuqi këtë të mërkurë masën e sigurimit arrest me burg për Ramazan Rrajën. Sipas gazetares Glidona Daci, ai kërkoi lirinë nga qelia me argumentin se ka probleme shëndetësore, por togat e zeza nuk ia pranuan kërkesën.
30-vjeçari akuzohet për sigurim kushtesh për të kryer vrasje dhe armëmbajtje pa leje. Ai u vu në pranga më 19 Prill, me akuzën e pjesëmarrjes në atentatin e vitit 2019-të ndaj Aleksandër Lahos, ish-prokurorit Arian Ndoja dhe shoferit të tyre Andi Maloku. Ky i fundit mbeti i vrarë.
Më herët, ishte Gjykata e Posaçme e Apelit e cila nuk e pranoi ankimin e Ramazan Rrajës, kundër vendimit që e la atë në qeli pa afat.
Ramazan Rraja qëndroi për rreth 1 vit në arrati, për t’u arrestuar të Ura e Gjolës nga Policia e Durrësit, teksa lëvizte me makinë dhe armë me vete. SPAK thotë se Rraja bashkë me 8 persona të tjerë, me kërkesë të Plaurent Dervishajt organizuan atentatin e 1 nëntorit 2019, në mbikalimin e Shkozetit, ku nga të shtënat me armë mbeti i vrarë Andi Maloku dhe u plagosën Pëllumb Muharremi dhe ish-prokurori Arian Ndoja.
Si prova kryesore Prokuroria ka dorëzuar në gjykatë një sërë komunikimesh të enkriptuara mes autorëve, të zbërthyera nga autoritetet franceze.
Ramazan Rraja është djali i Xhelal Rrajës. Ky i fundit është shpallur në kërkim për dhunën e ushtruar ndaj dy kushërinjve Maja një javë më parë në Borizanë dhe po ashtu është personi që shfaqet në pamje filmike me armë në dorë.
/a.r