Katër orë zgjati seanca e parë e diskutimit për ligjin e prodhimit të kanabisit në komisionin parlamentar të Ekonomisë dhe Financave. Deputetët e opozitës argumentuan kundërshtinë e tyre ndaj kësaj nisme, por kritika dhe sugjerime pati edhe nga vetë socialistët, ku ndër to spikati propozimi i deputetit Vullnet Sina për amnisti.
“Meqënëse po e legalizojmë kultivimin e lëndëve narkotike mos ka ardhur momenti që Ministria e Brendshme të shohi mundësinë e një aministie për ata persona që për arsye ekonomike janë futur në burg”, tha deputeti socialist, Vullnet Sinaj.
“Çfarë do prodhojmë ne”, ishte pyetja e Braçes, së cilës deputeti demokrat Edmond Spaho iu përgjigj: “Hashash!”.
Demokratët iu referuan rastit të Maqedonisë së Veriut, për të rrëzuar pretendimin se do t’i sjellë zhvillim ekonomisë, ndërsa theksuan se mund të krijohet një dëm i pariparueshëm për bujqësinë.
Ndërkohë, Jorida Tabaku u shpreh: “Ministria e Financave tha do të presim një ekonomi të re, ju dëgjuam do hapen vende pune do rritet eksporti, po sa dhe si do ndikojë dhe sa është përftimi në buxhet? Pagesa për këtë sektor do të jenë më të larta kjo më sjellë shqetësimin e fermerëve që do të ngelen pas”.