Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi vlerëson se kërkesa për arrestimin e Ahmetajt nuk është bërë për të mbuluar ngjarjen horror të Krujës, pas të cilës u shkarkua edhe ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi.
Në një intervistë në News24, ai thotë se hetimi i SPAK është i paplotë, por shton se kërkesa në Kuvend ka ardhur në ditën kur janë bërë edhe veprimet e fundit hetimore për dosjen “Ahmetaj”.
Besoni se mund të shtyhet?
Mbledhja është e vonuar dhe nuk ka arsye për të humbur kohë. Këshilli i Mandateve nuk është gjykatë ku avokatët të përballen dhe të bëjnë një analizë të gjerë. Koha e dhënë 24 orë është e mjaftueshme për elementët që Këshilli duhet të marrë në konsideratë. S’ka asnjë arsye për të shtyrë mbledhjen, përveç përgatitjes për të mundësuar largimin e Ahmetajt jashtë vendit apo për t’i dhënë më shumë kohë për të pastruar provat. Kjo do të ishte e papranueshme dhe do ta bënte Kuvendin bashkëpunëtor në arratisjen e Ahmetajt. Parlamenti ka vetëm një rol, të lejojë prokurorinë të bëjë detyrën e saj.
Pse do ta bënte tani Ahmetaj pastrimin e provave?
Në hetim do të duhet të jenë Rama, Veliaj dhe Gjiknuri por secili prej tyre vazhdon të jetë në pozicionet e tyre. Ashtu ka besuar edhe Ahmetaj që do të ishte i paprekshëm. Ne do të duhet të verifikojmë nëse Ahmetaj mund të jetë arratisur në këto momente që flasim.
Është për t’u vlerësuar puna e SPAK me këtë kërkesë?
E vlerësoj punën e bërë nga 2 prokurorët për faktin që ata kanë bërë një hetim të thelluar ndaj Ahmetajt. E kam konsideruar hetimin e paplotë sa kohë që zyrtarë të tjerë të përfshirë vazhdojnë të lëvizin të lirë në zyrat e shtetit. Kam verifikuar nëse kemi të bëjmë me një “drejtësi me regji” për të mbuluar skandalin e Krujës. Kam verifikuar kur është kryer veprimi i fundit hetimor nga prokuroria dhe ka qenë 7 korriku. Pra në përfundim të këtij veprimi hetimor ka marrë vendim për të kërkuar arrestimin e Ahmetajt.
Besoni se SPAK e dërgon kërkesën tani për të mos mbuluar një skandal tjetër apo kërkohet tani arrestimi për të mbuluar Krujën?
Ahmetaj dhe të tjerë zyrtarë do të duhet të ishin në burg shumë kohë më parë. SPAK është shumë i vonuar për përfundimin e hetimeve për tre inceneratorët. Fakti që është kërkuar në këtë moment nga SPAK, nuk dua të spekuloj dhe më rezulton se veprimi i fundit është bërë në 7 korrik, pra ditën kur edhe SPAK ka marrë vendim për ta dërguar kërkesën në Kuvend.
Ka një vendimmarrje për mbledhjen si do zhvillohet?
Është një kërkesë e SPAK që mbledhja të bëhet e mbyllur. Ka një urdhër të një prej anëtarëve të Këshillit të Rregullores, por kryetarja e Kuvendit nuk ka asnjë kompetencë për të caktuar a do jetë me dyer të hapura apo me dyer mbyllura. Ne do të kërkojmë që të zhvillohet me dyer të hapura për të bërë një transparencë sa më të plotë.
/f.s