Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka është bërë një nga nismëtarët e ndryshimit të sistemit zgjedhor përmes referendumit. Ai tha se ky do të jetë mandati i tij i fundit si deputet, që do t’i shërbejë ndryshimit të sistemit zgjedhor.
“Karriera ime është e fundit, sepse nuk do të shkoj më në parlament, edhe po të ma ofrojnë pa zgjedhje fare. Ky sistem zgjedhor është i padrejtë. Listat e hapura nuk ekzistojnë. Ka raste që dikush ka marrë 200 vota dhe është në parlament, ndërsa me 9 mijë vota nuk futet dot, se nuk e lejon ky sistem. Vota e qytetarit duhet të shkojë aty ku orientohet. I jep rol të merituar një individi. Kryeministri ka pushtet absolut prej këtij sistemi. Kjo duhet të ndryshojë dhe të ketë nevojë edhe për aleanca me partitë e tjera.”, – tha zoti Duka në një intervistë për emisionin “Pa Censurë” në RTSH.
Për nismëtarët e ndryshimit të sistemit, ideale do të ishte një sistem proporcional kombëtar. “Ne propozojmë që nga 12 zona te jënë 4 zona e poshtë, që mundësia që votat për disa nga partitë, të jetë sa më e vogël. Probabiliteti që votat të konvertohen në deputetë është më i madh, kur rajoni rritet. Shqipëria një zonë elektorale do të ishte ideale, por kjo kërkon ndërhyrje kushtetuese dhe duhet patjetër dakordësia me Ramën.”, – tha Duka.
Duke u ndalur te pritshmëritë që ka PAA-ja për vitin 2025, Duka tha se do të rezultati do të jetë dyfishim votash dhe se partia e tij do të përfshihet në qeveri.
“Çështja agrare në Shqipëri është shumë e rëndësishme, por fatkeqësisht nuk kemi mundur ta përçojmë siç duhet vitet e fundit për shkak të shumë rrethanave politike. Unë nuk po i kërkoj pushtet Ramës, por duke qenë se çështjet agrare dhe ambientaliste janë shumë të rëndësishme, nëse do të ketë ofertë nga PS mundet që të shihet e të merret në konsideratë.”. – tha Duka.
Ai shtoi mes të tjerash se; “Unë nuk dua as ministër, as deputet. 45 mijë vota nuk janë pak. Nëse ato dyfishohen në 100 mijë, do të thotë se kanë besim. Padyshim jam i hapur. Nuk kam kompleks, jam i plotësuar vetë, kam qenë ministër, prefekt, deputet 3 herë. Nuk dua më. Të shoh PAA në qeveri e bëj me qejf,. Nuk ia mbyll derën askujt dhe nuk e bëj për pazaret e mia. Por PAA nëse rritet, e ka rrugën e hapur në qeverisje, në qeveri apo në nivel drejtorish. Por detyra kryesore është të ndryshojë sistemi zgjedhor dhe të forcohet opozita. Një maxhorancë e fortë me një opozitë të dobët, nuk i bën mirë vendit.”.
/f.stafa