Nga Jakin Marena
Ngjarja e Borizanës, ku pjestarë të fisit Rraja dhe jo vetëm dhunuan dhe kërcënuan me vrasje dy kushërinjtë e fisit Maja, ka qënë kryetemë e këtyre 3 ditëve për shkak se mes dhunuesve ishin dhe djali i deputetit socialist dhe vëllai i tij, njëherësh bashkëpronar i gurores për të cilën nisi sherri.
Janë organet e drejtësisë ato që vendosin në lidhje me këtë akt të dënueshëm, pasi nuk mund të dhunohet askush në mënyrë barbare në këtë farë feje. Aq më tepër që pamjet e kësaj dhune, i hodhën vetë në rrjetet sociale dhunuesit, dhe media si ‘besnike’ që është ndaj të ‘vërtetës’ i dha pa korrekturë në të gjitha edicionet e lajmeve, madje dhe në emisionet e thirrura me këtë rast, duke tmerruar fëmijët.
Dhuna e ndodhur në Borizanë mes pronarëve të gurores dhe të dhunuarve, që pretendojnë se shpërthimet që shoqërojnë punën në një gurore, kanë shkaktuar dëme në shtëpitë e tyre solli dhe “viktimat” e para politike. Janë gurore të ngritura që në qeverisjen e Berishës, teksa kishin mbirë si ‘kërpurdha’, ku me gjithë ndërhyrjen e fortë të qeverisë së Ramës, kanë mbetur disa prej tyre, që ndoshta operojnë jo sipas standardeve të përcaktuara nga organet kompetente.
Deputeti i PS Rrahman Rraja ka dhënë dorëheqjen, duke dorëzuar mandatin, dorëzim që do të materializohet menjëherë në fillimin e javës së ardhshme kur institucionet përkatëse do të formatojnë verdiktin zyrtar. Vendimi deputetit socialist erdhi direkt pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Borizanë të Krujës, kur vëllai, Djali e tij dhe anëtarë të tjerë të fisit Rraja kanë dhunuar barbarisht dy kushërinjtë, Jashar dhe Bilbil Maja. Madje në reagimin e tij në rrjetet sociale, Rraja u ka kërkuar ndjesë dy viktimave të dhunës, ndërsa ka pranuar se ka dështuar si prind. Gjë e cila është ‘faturë’ personale e tij, sepse djali nuk e ka për herë të parë.
Nga ana tjetër, reagimi ndaj kësaj ngjarjeje ka ardhur dhe nga nivelet më të larta të politikës, teksa kryeministri Edi Rama firmos lirimin nga detyra të ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi, dhe duke propozuar në vend të tij në këtë post kreun e grupit parlamentar të PS, Taulant Balla. Një reagim i shpejtë, me një shkallë të lartë përgjegjësie politike e kreut të mazhorancës, një standard ky i vendosur nga Rama, dhe i zbatuar në këto 10 vite në krye të qeverisjes.
Dhe nuk është ministri i parë i Brendshëm që dorëhiqet apo lirohet nga detyra, si reflektim për situatat e ndodhura më parë. E tillë ka qënë dorëheqja e ish ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, për t’i hapur udhë hetimit të paanshëm dhe në konditat e një qytetari të thjeshtë përballë drejtësisë. Të njejtin standard të mbajtjes së përgjegjësisë ndoqi dhe ish ministri Sandër Lleshaj që dha dorëheqjen si reagim për përgjegjësinë politike, pasi dy policë sollën vdekjen e një djali të ri.
Por nga ana tjetër u morën masa drastike ndaj komisariatit të Krujës, të cilët nuk kishin arritur ta menaxhonin konfliktin mes fiseve, ndërkohë që palët e akuzojnë se ka qëndruar dhe në rolin e spektatorit pa ndërhyrë në kapjen e autorëve të dhunës në Borizanë ndaj dy kushurinjve Maja. Njëri prej të cilëve ka dhënë dhe deklarata të forta kërcënuese duke u betuar për hakmarrje. Kërcënime që duhet të merren me rezerva, pasi ndonëse s’kanë munguar nxitjet në këtë drejtim për reagim personal, më e lehta që mund të themi është se i ka bërë nën një presion të fortë psikologjik dhe më e rënda që mund të themi është se ai që betohet publikisht se do të vrasë, nuk vret njeri. Për më tepër që do detyrohet këtej e tutje që t’i ruajë dhunuesit nga vrasja apo dhe të jetë sa më shumë nën vëzhgimin publik, pasi në çdo rast cënimi të dhunuesve, mund të jetë vetë ai i pari që do të shkojë para drejtësisë. Pasi është betuar publikisht për hakmarrje, duke i fut kasavet vetes. Ndërkohë që gurores iu vu shiriti i bllokimit.
Dhe këtë ngjarje nuk kishte si të mos e ‘kapte’ opozita, për ta lakuar në të gjitha rasat, dhe akuzuar personalisht Edi Ramën si autorin që solli deri në këtë ngjarje dhe duke i kërkuar dorëheqjen. Vetëm pse vëllai dhe djali i një deputeti të PS, ishin pjesëtarë të dhunës, anipse deputeti dha dorëheqjen, thjeshtë dhe vetëm si reagim për atë që kanë bërë njerëzit e tij. Dhe mirë bëri që dorëzoi mandatin, pasi ka përgjegjësi politike.
Berisha si gjithnjë ishte në krye të herës më i ashpri kundër kreut të qeverisë, duke e akuzuar se bashkëpunon me krimin, ka sjellë krimin në Kuvend, dhe për më tepër duke ‘anëtarësuar’ tek “Rithemelimi” dy të dhunuarit e fisit Maja. Për hir të së vërtetës ata thanë se ishin anëtarë të PD zyrtare, asaj të vulës dhe logos që pritet ta kryesojë Basha. Madje falenderuan dhe deputeten e PD të saj zone që u kishte qëndruar afër, dhe ajo merrte pjesë në mbledhjet e grupit parlamenetar të Alibeajt e më pas të Bardhit, dhe aspak te takimet e Berishës.
Por Berisha nuk pyet për këto gjëra të vogla. Mjafton që gjeti një “kauzë” për të sulmuar qeverinë, pasi kauza e vjedhjes së zgjedhjeve të 14 majit, kishte nisur të bëhej bajate për “Rithemelimin” dhe vetë atë, vjedhje të cilën nuk e besojnë as vetë pas asaj humbjeje rrënuese në zgjedhjet vendore. Madje kërkon dhe dorëheqjen e kryeministrit për Borizanën.
Dhe akuzon Sali Berisha, pikërisht njeriu që nuk duhet të flasë për këto gjëra, pasi sa kohë ka qënë në qeverisje, i ka vënë shqiptarët përballë ngjarjeve tepër të rënda me pasojë dhe humbjen e jetës. Janë shumë viktima të shkaktuara nga Berisha në të dyja periudhat e qeverisjes, atë të viteve 1992-1997 dhe atë 2005-2013.
Askujt nuk i shqitet nga kujtesa shkatërrimi i shtetit nga themelet në vitin 1997, ku ka pasur dhe shpërthime tunelesh të depove të armatimit dhe humbje jetësh njerëzore brenda, por dhe jashtë dhe bëhet fjalë për mbi 3 mijë të vrarë, pasi këto plasaritjet e shtëpive nga guroret në Dajt, Krujë e Fushë-Krujë apo dhe në Berat, nuk i regjistronte njeri. Ishin ngjarje të ‘vogla; dhe as merrej mundimi të regjistroheshin ankimimet, jo më të kishte ndërhyrje të organeve kompetente apo të mbahej përgjegjësi politike. Kishte ngjarje të tjera tepër të mëdha me humbje jetësh njerëzore ato që qëndronin në krye të listës së bëmave të qeverisjes së Berishës.
Por as këtu Berisha nuk mbajti kurrë as përgjegjësi politike dhe as institucionale. Rasti më ekstrem ka qënë shpërthimi i punishtes së municioneve në Gërdec, ku akuzohet djali i tij Shkelzen Berisha si pronar i këtij biznesi që hodhi në erë një fshat të tërë. Askujt nuk i shqitet nga memorja ai shpërthim tragjik që mori jetën e 26 njerëzve të pafajshëm, plagosi mbi 300 të tjerë e shkatërroi nga themelet një fshat të tërë bashkë me bizneset afër tij.
Ndërsa ambulancat me trupat e përgjakur, të copëtuar të qytetarëve të pafajshëm që u plagosën dhe humbën jetën, venin e vinin nga Gërdeci në spitalin e Traumës dhe anasjelltas. Ndërsa vaji i Zamira Durdës dëgjohet dhe sot e kësaj dite për gjetjen e drejtësisë për humbjen e djalit të saj 7 vjeç, që po luante në oborr ditën e shpërthimit tragjik. Sot do të ishte 22 vjeç ai djalë që thau zemrën e një nëne.
Berisha asokohe e quajti shpërthim teknologjik, ‘ngatërroi’ dhe emrin e baxhanakut që ishte përgjegjës në punishten e vdekjes së djalit Shkelzen, deklaroi se nuk kishte qënë kurrë në Gërdec dhe mori pamjen e një të pafajshmi. Ndërsa ministri i asaj kohe i Mbrojtjes dhe dorëheqjen nga posti, për të mbetur deputet, për t’u rizgjedhur më pas sërish deputet dhe për t’u emëruar sërish ministër në një dikaster tjetër.
Akuzat ndaj tij vijojnë dhe sot e kësaj dite, ku për 15 vite rresht vijon ‘odiseja’ e këtij gjykimi, ndërsa institucionet e drejtësisë të ngritura për të bërë drejtësi, vijojnë lojën e ‘pin-pongut’ me hetimin dhe gjykimin e këtij krimi shtetëror. Ndërsa pronari i akuzuar i punishtes së vdekjes në Gërdec që shkaktoi 26 viktima, Shkelzen Berisha vijon biznesin i qetë. Madje dhe atë të boronicave në Gërdec, siç janë akuzat.
Në atë kohë kryetar i PS në opozitë, Edi Rama nuk e shfrytëzoi për asnjë sekondë këtë fatkeqësi për përfitime politike, por krijoi një standard të ri të qetësisë në këto momente të vështira për familjarët e atyre viktimave, si një homazh për këto jetë të humbura. Ndërsa Berisha, ndonëse kishte marrë 26 jetë njerëzish duke hedhur në erë një fshat të tërë për biznesin e djalit të tij, nuk mori asnjë përgjegjësi politike, ku në një vend normal, menjëherë ai duhej të ishte larguar nga posti i kryeministrit me dorëheqje. Institucion të cilin nuk e njeh, ashtu sikurse nuk njeh as drejtësinë, atë të renë dhe as të vjetrën, në derën e së cilës me gjithë akuzat që ka në kurriz nuk është paraqitur asnjëherë para saj.
Dhe nuk është vetëm një rast. Kështu veproi me Gërdecin, kështu veproi më 21 janar 2011 kur Garda e Republikës me urdhër të tij qëlloi mbi demonstruesit e opozitës duke dërguar në botën tjetër 4 njerëz të pafajshëm në mes të Bulevardit, teksa protesta po shpërndahej. Dhe askush nuk mbajti përgjegjësi politike. Berisha vetë jo e jo që s’dha dorëheqjen, por as ministri i Brendshëm i asaj kohe Lulzim Basha nuk e bëri një akt të tillë. Madje u ‘gradua’ kryetar bashkie disa muaj më vonë, duke u investuar për t’ia marrë Ramës bashkinë e Tiranës në tavolinë dhe në sytë e të gjithë shqiptarëve. Për ta bërë dhe për tetë vite kryetar të PD, derisa “haka shkoi tek i zoti”. Pasi pikërisht Basha, sapo SHBA e shpalli Berishën familjarisht ‘non grata’ e poërjashtuai nga grupi parlamentar dhe më pas dhe nga PD dhe që nga ajo ditë Berisha është rrugëve pa asnjë ‘strehë’ të veten politike. Ndërsa kryepolici vijoi në detyrë, madje dhe duke refuzuar dëshminë në prokurori, bashkë me vartësit e tij.
Por që të kthehemi tek standardi i Berishës, ajo që mund të themi është se asnjëherë nuk ka mbajtur përgjegjësi politike duke dhënë dorëheqjen ai apo vartësit e tij për të gjitha ngjarjet e dhimbshme që ka shkaktuar. Madje me humbje jetësh njerëzore. Duke arritur deri atje sa të mbajë dhe drejtorë të rëndësishëm që ishin nën arrest shtëpie për vrasje shtetërore dhe zhdukje njerëzish e biznesmenësh, të cilët firmosnin shkresat nga shtëpia.
Ndaj themi se standardet e realizuara nga Berisha i “Gërdecit” në kohën e qeverisjes së tij, janë me diferencë shumë shumë të thellë me ‘standardet’ e kërkuara po nga Berisha për dhunën në Borizanë. Për “Borizanën” qeverisja e mazhorancës socialiste mbajti përgjegjësinë institucionale, thuajse është shkrirë komisariati i Krujës e janë arrestuar shumë prej dhunuesve, si dhe përgjegjësinë politike me dorëheqjen e deputetit Rraja dhe lirimin nga detyra të ministrit të Brendshëm Çuçi.
Çka tregon se standardi i Ramës gjatë këtyre 10 vite qeverisje të mazhorancës socialiste është konsoliduar me mbajtjen e përgjegjësive, institucionale e politike, ndërsa standardi i Berishës ka reflektuar zero përgjegjësi. Ky është dallimi, ndaj PS vijon të jetë në pushtet në mandatin e tretë të saj, dhe gjasat janë dhe për mandate të tjera qeverisëse.