Nga Frrok Çupi
Sapo ka nisur izolimi i thellë i Perëndimit. Kryeministri ka braktisur çdo marrëveshje dhe po sulmon Perëndimin. Shteti ka dalë nga përkujdesja dhe kontrolli i aleatëve. Kryeministri flet për ‘banda terroristësh’, të cilët- natyrisht- i instalon në Veri; por me këtë mënyrë po u jep sinjale çdo krimineli oër t’u bërë bandë terroristësh…
Kosova sot ka të ngjashme Shqipërinë në momentin e saj më të rëndë, vitin 1997.
Në shënimet e mija të atij viti të egër kam gjetur copa ngjarjesh që lidhin Vlorën me Tiranën. Çfarë ndodhi?
Presidenti Berisha e ndjeu erën europiane si rrezik për postin e tij dhe nxitoi të shpallet për së dyti president, përmes zjarrit të urrejtjes popullore. Kjo në 3 mars, ndërsa në 4 mars austriaku Vranictzky merr emërimin si përfaqësues i Europës në Shqipëri.
‘Në 4 mars 1997, unë mora zyrtarisht mandatin si përfaqësues personal i kryetarit aktual të OSBE-së”, shkruan Franc Vranitzky.
Kishin premtuar se do ta çonin Shqipërinë në Europë, dhe ja cila është Shqipëria që çuan në ‘Europë’:
…Zgjedhjet e vitit 1996 ishin masakruar. Dhuna deri në vrasje po ushtrohej sa nga huliganët edhe nga qeveria. Varfëria u ul në çdo familje. Kursimet e qytetarëve u zhytën në një skemë piramidale të praktikuar më parë nga skemat mashtruese ‘Ponzi’; njerëzit kanë nisur të vrasin veten. Paratë e grabitura nga kompania ‘Shqiponja’ e PD dhe trafiku i armëve e naftës, hynë për tu larë në firmat piramidale. Protestat e popullit nisën të shtypen me zjarr nga qeveria. Popullin e Veriut e ngrehën për të sulmuar Jugun. Dyert e presidencës dhe të qeverisë së Shqipërisë u mbyllën për të dërguarit e Shteteve të Bashkuara. U ndërprenë projektet dhe fondet e Europës; shteti nisi të sulmojë Greqinë dhe CIA-n për ‘komplot global’. Shteti ra, populli u hyri flakëve më këmbë.
Atëherë vendi u dorëzua te kancelari austriak Vranitsky.
Kosova është një kopje e fillesës së këtij akti:
Sapo ka nisur izolimi i thellë i Perëndimit. Kryeministri ka braktisur çdo marrëveshje dhe po sulmon Perëndimin. Shteti ka dalë nga përkujdesja dhe kontrolli i aleatëve. Kryeministri flet për ‘banda terroristësh’, të cilët- natyrisht- i instalon në Veri; por me këtë mënyrë po u jep sinjale çdo krimineli oër t’u bërë bandë terroristësh.
‘Shiringat’ europiane për projektet e zhvillimit të shtetit dhe projektet publike, u ndërprenë. Dje ishte dita e fundit kur pas BE, Gjermania njoftoi se makina e saj drejt Prishtinës e fiku motorin. Gjermania ishte shteti europian më i afërt me qeverinë Kurti derisa e pa se nuk ka shpëtim. Franca, Italia, e të tjerë janë gati për të njëjtën mënyrë.
Në Veriun e Kosovës, qeveria Kurti po ndez të njëjtën shkëndijë që ndezi Berisha kundër Jugut të vendit të vet. Popullsia kosovare me kombësi serbe po merr pamjen e viktimës; viktimë po quhet edhe vetë Serbia përballë Kosovës.
Kthimi në autoritetin ku ndodhej Kosova tashmë është një gjë e pamundur, edhe sikur qeveria Kurti të bjerë sot. Përmes sjelljes së padenjë të qeverisë së Kosovës është goditur edhe autoriteti i SHBA dhe BE, që kishin garantuar lindjen e këtij shteti në këtë rajon konfliktesh. Edhe sikur sot SHBA –BE të merrnin lejen nga bota për të sjellë Kosovën ‘në din e iman’, këtë nuk e pranon vetë qeveria e Kosovës.
Nuk ka rrugë tjetër, veçse protektorati Perëndimor mbi Kosovën, njësoj si Tirana në vitin 1997. Fati i mirë i Kosovës është se atje nuk ka depo armësh dhe as president Berishë që t’i lëshojë kundër popullit. Mund të kërkohet një qeveri e Pajtimit Kombëtar, si në ’97, por pa baza në konflikt civil. Mund të nevojitet një amnisti nga Parlamenti për të gjithë të shpallurit ‘armiq, nga Kurti. Do të zhvillohen zgjedhjet e reja parlamentare, sigurisht. Nuk do të ketë nevojë as për 6000 forca ushtarake nga shtetet e Perëndimit- siç ndodhi në Tiranë në vitin 1997; sot në Kosovë ndodhen forcat e NATO-s.
E gjitha po shkon drejt një thirrje për Vranitzky-n e ri, i cili me mandat të Kombeve të Bashkuara do të protektojë Kosovën për një periudhë kohe. Me qeverinë Kurti, Kosova po i humb privilegjet, të drejtat dhe honoret perëndimore të fituara për 24 vjet.