Në plazhin publik pranë Shëtitores së Sarandës janë vendosur çadra e shezlonë falas. Kjo është nisma e parë e kryebashkiakut të ri të Sarandës, Oltion Çaçi e mirëpritur si nga banorët e qytetit, ashtu edhe nga pushuesit e shumtë që ndodhen për pushime në Sarandë.
“Tani që kanë vënë çadrat shumë mirë është. Populli bën banjo dielli pa lek. Është hera e parë që i shijojmë pa lek. Shërbimi është i mirë dhe i pastër. Këtë ndryshim duhet ta kenë dhe bashkitë e tjera bregdetare”, thanë ata.
Një prej qytetarëve shprehet për Report Tv se nuk e besoi, madje mendoi se çadrat ishin vendosur me pagesë nga lokalet dhe bizneset pranë plazhit.
“Kur e pashë në mediat sociale mendova se janë çadrat e lokaleve, nuk e besova derisa i pashë vete”.
Ndryshimi në plazhin publik ka suprizuar mjaft edhe pushuesit e përvitshëm që zgjedhin Sarandën për pushimet e verës. Ata vlerësojnë vendosjen e çadrave pa pagesë nga Bashkia Sarandë si të dobishme, pasi ata nuk do të detyrohen të blejnë dhe lëvizin çdo ditë me çadër me vete.
“Kam eksperiencë shumë të mirë këtu, njerëzit janë miqësor, ushqim i mirë dhe çmim i lire, plazhi publik falas. Çadrat në plazh janë falas, deti i pastër çdo gjë shumë mirë”, shprehen dy turiste të huaja.
Turistet vlerësojnë nismën e Bashkise dhe ua sugjerojnë ta ndjekin e bashkitë e tjera bregdetare./m.j