Kryeministri Edi Rama e ka vijuar turin e tij ballkanik, që përkon me përgatitjet për Samitin e Procesit të Berlinit që do të mbahet në tetor në Tiranë, duke u ndalur në Bosnjë.
Pas takimit që zhvilloi dje në Shkup me Dimitar Kovaçeskin dhe zhgënjimit që përjetoi në Prishtinë, ku Albin Kurti refuzoi ta priste në zyrë, ndryshe nga ç’bënë kryeparlamentari Glauk Konjufca dhe Presidentja Vjosa Osmani, Rama është takuar në Sarajevë me kryetaren e Këshillit të Ministrave të BH-së, Borjana Krišto.
Vetë ai ka shpërndarë në Facebook një fotogaleri nga takimi, ndërsa pritet një konferencë e përbashkët prej tyre.
Më pas, Rama do të ndalet në Podgoricë ku do të takohet me kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviç.
Edhe pas këtij takimi dy liderët do të zhvillojnë një konferencë të përbashkët për shtyp, e përcaktuar në orën 15:40. Në Mal të Zi Rama do të takojë edhe presidentin e sapozgjedhur, Jatov Milotviç.
Në mbrëmje, Rama do të udhëtojë drejt Serbisë ku do të zhvillojë një takim kokë më kokë me presidentin Vuçiç, në orën 19:30 dhe 30 minuta më pas do të mbajnë edhe konferencën për shtyp. Më pas, është planifikuar darkë pune me delegacionet përkatëse.
/a.r