Teksa po bëhet rreth 48 orë nga atentati i regjistruar në fshatin Larushkë të Fushë Krujës, ku humbi jetën Ramazan Sino, kunati i Gentjan Bejtjas, si dhe mbetën të plagosur dy djemtë e mitur të këtij të fundit, hetimet janë në udhëkryq, pasi nuk ka asnjë person të dyshuar.
E vetmja shpresë e hetuesve për identifikimin e autorëve, janë një kamer sigurie në banesën e Bejtjas dhe disa kamera sigurie në rrugë.
Shënjestër e atentatit për hetuesit duket se nuk ka më dyshimet se ka qenë Gentjan Bejtja, një personazh me shumë “drit hije”, i cili konfirmohet nga djali i tij, se ka qenë bashke me ta në automjet, por ka zbritur pak momente para se ndaj tyre të zbrazeshin breshëritë e kallashnikovit.
Me pretendimin se ndihet i kërcënuar nga miqtë e dikurshëm me të shkuar kriminale Gentjan Bejtja së bashku me bashkëshorten dhe 4 fëmijët tentoi të marrë azil në 2 vende europiane por iu refuzua dhe vetëm pak ditë më parë ishte rikthyer në Larushkë, ku duket se vrasësit e prisnin për ta eliminuar me çdo kusht duke mos kursyer as fëmijët.
Nëse ai do të pranojë të flasë, jo vetëm atentatin ndaj tij, por ndoshta mund të zbardhë dhe shumë krime të tjera. Për vendndodhjen e tij, policia ka marrë informacione në rrugë operative se fshihet në Laç, megjithatë nuk janë bërë kontrolle.
Përveç 3 atentateve ndaj tij, Gentjan Bejtja dyshohet si i përfshirë dhe në shumë atentate të tjera, jo në rolin e qitësit, por në atë të informatorit dhe ndihmësit të autorëve për t’i larguar nga vendi i ngjarjes.
Grupi hetimor po verifikon për aktivitetin e Gentjan Bejtes jashtë vendit, por duket se pista më konkrete është ajo e hakmarrjes për atentatin e 17 korrikut të vitit të kaluar në mbikalimin e Fushë Krujës, ku u vranë Brilant Martinaj, Diklen Vatës dhe Besmir Hoxha.
Hetuesit dyshojnë se Gentjan Bejtja mund të ketë qenë i përfshirë si informator në vrasjen e trefishtë. Brilant Martinaj ishte kushëri i parë i të shumëkërkuarit të drejtësisë, Ervis Martinaj, i cili prej rreth 1 viti është zhdukur dhe nuk ka asnjë shenje prej tij.
Atentati ndaj Gentjan Bejtjas dyshohet si një hakmarrje e grupit të Ervis Martinaj për vrasjen e Brilant Martinajt vitin e kaluar.
Po ashtu, vlen të theksohet fakti se dhe në atentatin e regjistruar më 12 Mars në Tiranë, ndaj familjarëve të Fation Muratit, ku u vra aksidentalisht Mimoza Paja, si autorë dyshohet grupi i Vis Martinajt. Për atë krim, arresti është caktuar vetëm për një prej anëtarëve të grupit, Nikoll Sherrnikun, i cili rezulton se ka siguruar targat e automjetit të përdorur në atentat.
Nuk dihet nëse Ervis Martinaj është gjallë apo jo, por Policia ka dyshime të forta se grupi i tij është aktiv për hakmarrje.
Gjithsesi, për Gentjan Bejtjan, grupi hetimor ka informacioni se dhe tre personazhet që u shoqëruan pas krimit, Durim Bami, Valter Bami dhe Marklen Haka e donin të vdekur me çdo kusht./m.j