Veprimet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për të refuzuar takimin me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama është kritikuar ashpër nga opozita në Kosovë. Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri tha se ky akt i Kurti ka turpëruar çdo shqiptar, pavarësisht vendit ku jeton.
Gjatë intervistës në “News Line”, Tahiri u shpreh se Kurti duhet të dëgjojë kryeministrin e Shqipërisë, dhe të bisedohet me të për të dalë nga ky qorrsokak ku ndodhet Kosova.
“Ajo që mund të them sot, fillimisht ne si grup parlamentare, patëm një konferencë tonë, shprehem indinjatën tonë për mospranimin e Ramës nga kryeministri Kurti. Kurti duhet të dëgjojë Ramën. Kjo situatë e ka turp secilin shqiptar që frymon shqip. Ky është nja kat skandaloz dhe i turpshëm për secilin shqiptar.”, tha Tahiri.
Numri dy i AAK-së thotë se mos-komunikimi mes dy kryeministrave shqiptarë shkon ën dobi të Serbisë. Ai shtoi se AAK-ja ka propozuar disa akte dhe nisma politike, të cilat sipas tij do ta nxirrnin Kosovën nga kjo bllokadë.
“Ky mos-komunikim është duke e dobësuar shqiptarin ngado, por edhe Kosovën, por edhe vetë vendin. Ky mos komunikim e trimëron Aleksandër Vuçic. Për mua është e papranueshme dhe është e padrejtë. Janë në sanksione nga BE, mirëqenia ka rënë shumë, pagat janë shumë të vogla, Diskursi publik është transferu tek dialogu, ne e kemi ngritur mocionin, si një mekanizëm, i cili do të shpëtonte Kosovën sepse shkarkimi në Kuvend do të ishte dalja nga kjo, nëse kjo nuk ndodh, kemi dhënë dhe një opsion tjetër, një qeveri e shpëtimit kombëtare, e cila do të merret detyra në forcimin kombëtar por as kjo nuk po ndodh. Kosova është në një bllokadë”, tha ai.
Ai shtoi se dobësimi i Kosovës, do të dobësonte më tej faktorin shqiptar në gjithë Ballkanin Perëndimor, ndaj duhet bërë kujdes me aktet politike.
“Jemi në një situatë shumë të rëndë. Jemi përjashtuar nga iniciativa e Ballkanit Perëndimor, në raport me projekte që vijnë. SHBA-të janë duke na vendosur sanksione. Duhet reflektim. Dobësimi i Kosovës e dobëson kauzën mbarëkombëtare./m.j