Presidenti i Romës, James Pallotta, është takuar sot në mëngjes me kapitenin Francesco Totti. Ky i fundit është përfshirë prej dy javësh në luftë të hapur me trajnerin Spalletti, i cili ka vendosur kusht: O unë, o Totti te Roma”. Pallotta mbajti anën e trajnerit, kur tha se “Totti është legjendë, por Spalletti ka të drejtë”. Megjithatë, kjo nuk do të thotë largim të kapitenit verdhekuq.
Gazzetta dello Sport shkruan se Pallotta i ka ofruar lojtarit postin e zëvendëspresidentit, por Totti është shprehur se dëshiron të luajë edhe për një vit.
Presidenti është treguar i gatshëm t’ia plotësojë edhe këtë dëshirë.
Ndërkaq, edhe sponsori teknik i Romës, Nike, mbështet rinovimin e kapitenit. Nike e pëlqen idenë e daljes në treg me fanellën e fundit që do të veshë kapiteni legjendar romanist.
Pas takimit, Pallotta është larguar i qeshur nga Trigoria, qendra stërvitore e skuadrës. E ardhmja duket e qartë, me Tottin edhe për një vit tjetër.