Shqipëria nuk po arrin dot të fitojë luftën kundër pastrimit të parave. Në një kohë që vendi vijon të mbesë në “listën gri” të Moneyval, në Parlament është depozituar një projektligj që synon ta kthejë Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit dhe Pastrimit të Parave në një agjenci në varësi të Këshillit të Ministrave. Baza e re ligjore parashikon rritje pagash dhe më shumë kompetenca për agjencinë.
Referuar relacionit të projektligjit, me qëllim uljen e numrit të dorëheqjeve, pagat do të rriten mesatarisht me 30%, ndërsa agjencia nuk do të ketë më vetëm detyrën e parandalimit, por edhe të zbulojë rastet e pastrimit të parave.
Ndërkohë, punonjësit e agjencisë nuk do të kenë më statusin e Nëpunësit Civil, por do të jenë direkt nën juridiksionin e Këshillit të Ministrave: “Në fakt, kjo nismë nuk zgjidh asnjë nga çështjet. Përkundrazi, thellon problematikat. Kalimi i statusit të Nëpunësit Civil në një status më pak të mbrojtur siç është Kodi i Punës në fakt e bën agjencinë thjesht një kompani”.
Brikena Kasmi thekson: “Duhet të koordinojë të dhënat me Prokurorinë e Përgjithshme, Bankën e Shqipërisë, ato të nivelit të dytë dhe gjithë institucionet e tjera për të zbuluar këto raste”.