Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ka dhënë urdhër për çregjistrimin e 29 përmbaruesve privatë nga regjistri.
Sipas ministrit, ata nuk janë regjistruar me statusin “aktiv”, çka do të thotë se nuk kanë kryer veprimtari përmbarimore për më tepër se një vit.
Në mbështetje të ligjit nr. 10031, datë 11.12.2008, “Për shërbimin përmbarimor gjyqësor privat”, i ndryshuar, Ministria e Drejtësisë ka për detyrë kontrollin e zbatimit të ligjit lidhur me veprimtarinë e përmbaruesve gjyqësorë privatë.
Nga verifikimi i Regjistrit të Përmbaruesve Privatë, rezulton se 29 përmbarues të certifikuar nuk janë të regjistruar në regjistrin e përmbaruesve gjyqësorë privatë me statusin “Aktiv”, që do të thotë se nuk e kanë ushtruar funksionin publik të përmbaruesit privat për më shumë se një vit.
Për këto arsye, në mbështetje të ligjit “Për shërbimin përmbarimor gjyqësor privat”, i ndryshuar, Ministri i Drejtësisë ka urdhëruar heqjen e 29 certifikatave të përmbaruesve gjyqësorë privatë dhe çregjistrimin e tyre nga regjistri i përmbaruesve gjyqësorë privatë.