Shkencëtarët francezë thonë se kanë vërtetuar një lidhje ndërmjet virusit Zika dhe një sëmundjeje serioze nervore, të njohur si Sindroma Guillain-Barre.
Kjo sindromë e rrallë bën që sistemi imunitar i trupit t’i sulmojë pjesët e sistemit nervor, duke shkaktuar paralizë të përkohshme, dhe në 5 për qind të rasteve, edhe vdekjen. Zakonisht shfaqet disa ditë pas ekspozimit ndaj ndonjë virusi, baktere apo paraziti.
Studimi francez, i publikuar të hënën, në revistën online “Lancet”, analizon të dhënat nga shpërthimi i virusit Zika në Polinezinë Franceze, gjatë viteve 2013 dhe 2014.
Studiuesit e kanë llogaritur rrezikun e zhvillimit të Guillain-Barre në 2.4, në çdo 10 mijë njerëz të infektuar me Zika.
Zika, e cila gjithashtu ka shfaqur edhe disa defekte gjatë lindjes, tani po përhapet me të madhe në Amerikën Latine.