Situata në veri të Kosovës dhe marrëdhëniet mes Beogradit dhe Prishtinës ishin temë e takimit që ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, njëherësh edhe kryesues i radhës i OSBE-së zhvilloi në Shkup, me shefat e misioneve të kësaj organizate në Prishtinë, Beograd dhe Shkup. Gjatë takimit Osmani prezantoi, planin 9-pikësh, i cili synon të çtensionojë situatën.
“Është inkurajuese të dëgjosh mendimet e tyre për perspektivat e mundshme të planit për de-eskalimin e situatës që kam paraqitur si Kryesues i OSBE-së. Udhërrëfyesi i ofruar inkurajon atmosferë të dialogut dhe të bashkëpunimit”, tha Osmani.
Plani prej 9 pikash parashikon hapat që duhet të ndërmerren nga të dyja palët për arritjen e normalizimit, deeskalimit si dhe stabilitetin e qëndrueshëm në Kosovë.
Plani 9 pikësh i kryesuesit të OSBE-së
- Kosova dhe Serbia të rikonfirmojnë angazhimin e tyre ndaj Marrëveshjes Themelore dhe Protokollit të Ohrit.
- Kosova duhet të tërheqë forcat e saj speciale policore, kurse Serbia duhet të ulë gatishmërinë luftarake të forcave të armatosura.
- Policisë së Kosovës, së bashku me forcat e KFOR-it dhe EULEX-it, duhet t’i mundësohet që të kujdesen plotësisht për rendin dhe sigurinë e vendit.
- Të anulohen protestat dhe të vihen në funksion shërbimet komunale.
- Kryetarët të japin dorëheqje deri në verën e këtij viti, duke i hapur rrugën zgjedhjeve të parakohshme komunale.
- Zgjedhjet e parakohshme komunale të mbahen këtë vit.
- OSBE do të mbështesë procesin zgjedhor, duke forcuar legjitimitetin dhe besimin ndërmjet komuniteteve.
- OSBE do t’i angazhojë të rinjtë në programet dhe proceset e pajtimit.
- OSBE-ja do të vë në dispozicion kapacitetet e saj për të mbështetur zbatimin e dispozitave të dakorduara dhe vazhdimin e dialogut.
Osmani dhe ambasadorët diskutuan edhe për Konferencën e ardhshme kundër korrupsionit në Europën Juglindore, e cila do të mbahet në Maqedoninë e Veriut.