Debat të ashpër zhvilluan ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku dhe ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç, në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Në fjalën e tij, Daçiç, Kosovës iu referua me “Kosovë e Metohi” dhe Çitakut, si përfaqësuese e “institucioneve të përkohshme të Kosovës dhe Metohisë”.
Ai, siç transmeton RTK, foli për serbët në Kosovë duke thënë se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe është institucion për realizimin e të drejtave themelore të serbëve të Kosovës. Daçiç tha se formimi sa më i shpejtë i asociacionit siguron zbatimin e marrëveshjes së arritur në Bruksel mes të dy palëve. I ashpër tingëlloi kur iu kundërpërgjigj ambasadores Çitaku, e cila ia rikujtoi se Kosova është shtet i pavarur.
“Kosova nuk është e shqiptarëve. As e jotja as e imja. Është e qytetarëve që jetojnë atje, e aty ka serb dhe shqiptarë. Ju keni një vend të shqiptarëve që quhet Shqipëri”, tha Daçiç”. Duke folur për marrëveshjen për asociacionin, ai tha se Kosova nuk mund të bëjë marrëveshje dhe pastaj të njëjtën ta dërgoj në Kushtetuese. Ai tha se Kosova nuk është e pavarur, sepse sipas tij, po të ishte e tillë, nuk do të nënshkruante marrëveshjen për MSA-në si territor, por si vend. Ai madje falënderoi të gjitha vendet që nuk e kanë njohur Kosovën.