Drejtori i Agjencisë së Bregdetit, Ledion Lako i ftuar në Vizion Plus ka folur lidhur me aksionin e Ministrisë së Turizmit për pastrimin e bregdetit gjatë sezonit turistik.
Sot ka nisur aksioni për pastrimin e plazheve, çfarë synoni me këtë aksion dhe pse pikërisht në pikun e sezonit?
“Ministria nuk e ka nisur sot, por ky quhet programi i pastrimit kombëtar të zonës bregdetare, i cili është viti i dytë resht që Agjencia Kombëtare e Bregdetit nëpërmjet një operatori të kontraktuar nga agjencia, nga 15 qershori deri në 15 shtator ndërhyn me këto operatorë shtesë në disa bashki, të cilat për shkak të numrit të lartë të pushuesve ditorë, por gjithashtu edhe pushuesve me struktura akomoduese dhe hotele, ndërhynë me këto operatorë shtesë në mënyrë që të mos ketë mbetje në kontenierët e vendosur nga ana e bashkive, por gjithashtu deh zonat perreth tyre të jenë të pastra dhe të ketë një mbarëvajtje të caktuar”, thekson ai duke shtuar se këtë sezon Agjencia e Bregdetit ka marrëveshje për mbarëvajtjen e 6 bashkive.
Orari i hedhjes së mbeturinave është pak i vështirë, kjo pasi duhet të binden bizneset që ta respektojnë atë. Si mendoni ta realizoni?
“Nga ana e ministres së Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, në bashkëpunim të ngushtë që kemi pasur edhe me Task-Forcat të prefektuara të qarqeve të zonave bregdetare dhe bashkive janë marrë të gjitha masat që nëpërmjet bashkive dhe subjekteve të mëdha që kanë struktura akomoduese të ketë një marrëveshje që brenda një orari të caktuar mjetet teknologjike të shkojnë t’i marrin”, thekson ai duke shkuar se kjo marrëveshje me bizneset po funksionon.
Pastrimi mbetet një sfidë e madhe, çfarë prisni nga pushteti lokal?
“Kemi një bashkëpunim shumë të mirë si me kryetarët që kanë rimarrë detyrën, janë rikandiduar, pra kanë qenë në detyrë dhe me kryetarët e rinj. Kemi pasur takime të vazhdueshme me ta nën drejtimin e ministres së Turizmit, ku janë vënë detyrat dhe plani i masave se si duhet ta menaxhojmë sezonin turistik”, shprehet ai duke theksuar se bashkëpunimi me pushtetin lokal është shumë i mirë.
Si po funksionon në terren ndarja e plazheve këtë sezon, a keni ankesa nga qytetarët?
“Ne vitin e kaluar hapëm thirrjen për aplikimin në stacione plazhi që në muajin nëntor dhe gjithë procesi u mbyll brenda muajit shkurt”, shprehet ai. “Aktualisht Agjencia Kombëtare e Bregdetit nëpërmjet Inspektoriatit të Turizmit është në terren, ka filluar që në muajin qershor me inspektime, kontrolle që të gjitha këto subjekte duhet që të plotësojnë të gjitha kriteret”, shton ai.