“VOX Baroque” në bashkëpunim me Orkestrën Simfonike të Forcave të Armatosura çelën mbrëmjen e djeshme, edicionin e dhjetë të këtij festivali si një nga ngjarjet e rralla në kulturën dhe muzikën në Shqipëri.
Themeluesi i festivalit, Jusuf Beshiri, bëri një zgjedhje të veçantë duke bërë pjesë të këtij edicioni jubilar pesë vokalistë meshkuj zëra kastrat, si Arnauld Gluck, Hugo Bolivar, Jonatas Luis Monteiro, Logan Tanner dhe Pasquale Auricchio. Me një repertor të përzgjedhur, publiku pati mundësinë për të dëgjuar këto zëra unikë, në zemër të Tiranës.
Ky festival ndërkombëtar synon të kontribuojë në edukimin e publikut shqiptar, veçanërisht të brezave të rinj, me traditën e vjetër muzikore europiane të shekujve XVI, XVII dhe XVIII.
Nën dirigjimin e virtuozit Stefano Demicheli, Orkestra Simfonike e Forcave të Armatosura bëri një punë të jashtëzakonshme dhe ishte në lartësinë e duhur për të sjellë përvojën e rrallë në muzikës baroke për publikun shqiptar.
Orkestra Simfonike e Forcave të Armatosura po bëhet një nga kontribueset e rëndësishme në ngjarje të tilla të veçanta dhe po ndihmon në rritjen e nivelit të kulturës dhe muzikës në Shqipëri.