Më shumë se 150 000 foshnje siriane kanë lindur në Turqi që prej fillimit të konfliktit sirian që po bën pesë vite, deklaroi sot zëvendëskryeministri turk, Lutfi Elvan duke theksuar barrën humanitare që po mban vendi i tij.
Në fjalimin e tij në sesionin vjetor të Këshillit të të Drejtave të Njeriut në Gjenevë, Elvan u shpreh se “Turqia po bën maksimumin për të marrë përsipër një pjesë të gjerë të katastrofës humanitare të shkaktuar nga kjo luftë civile”.
“Numri i foshnjeve siriane të lindura në Turqi ka arritur në 152 000”, njoftoi zëvendëskryeministri duke kujtuar se vendi i tij pret më shumë se 2,7 milionë refugjatë sirianë, më shumë se sa çdo vend tjetër fqinj i Sirisë.
Ankaraja ka kritikuar shpesh herë komunitetin ndërkombëtar duke e akuzuar se nuk po reagon mjaftueshëm përballë kësaj krize migratore masive, ndërkohë që më shumë se sa gjysma e popullsisë siriane detyrohet t’i largohet luftimeve.